Turizmi dhe transporti – Mbi gjysmë milionë udhëtarë për korrikun

Tregu i transportit të udhëtarëve është rritur me ritme të larta gjatë muajit korrik. Sipas Institutit të Statistikave, në një muaj mbi 525 mijë pasagjerë udhëtuan në rrugë detare dhe ajrore. Për transportin detar, numri i udhëtarëve u rrit me 23%, ndërsa për atë ajror rritja ishte mbi 31%.
Tregu i transportit ndërkombëtar të udhëtarëve po favorizohet sidomos nga rritja e lartë e numrit të turistëve. Në shtatë muajt e parë të vitit, Shqipërinë e vizituan 2.6 milionë shtetas të huaj.
Rritja e numrit të turistëve sidomos nga vendet jo-fqinje po i jep shtysë të ndjeshme tregut të fluturimeve. Për shtatë muajt e parë të vitit 1.4 milionë pasagjerë kanë përdorur transportin ajror për të hyrë ose dalë nga Shqipëria.
Numri i udhëtarëve është në rritje me 24% dhe po i drejtohet rritjes për të gjashtin vit radhazi. Zhvillimi i turizmit rrit njëkohësisht potencialet e tregut të fluturimeve, që sidoqoftë ende po kufizohet nga mungesa e infrastrukturës.
Një aeroport i dytë do të ishte i rëndësishëm për uljen e kostove të operatorëve dhe mundësimin e fluturimeve low cost, por, deri tani, përpjekjet për të bërë operativ një aeroport të dytë kanë dështuar.
Pavarësisht heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare nga aeroporti i Tiranës, i vetmi aeroport alternativ, ai i Kukësit është harruar dhe nuk ka ende asnjë projekt për ta bërë operativ.
Pavarësisht nga kjo, qeveria ka shpallur synimin për të ndërtuar një aeroport tjetër në jug të vendit. Aktualisht, në Aeroportin e Tiranës operojnë 18 kompani ajrore, që për shtatë muajt e këtij viti kryen mbi 13 mijë fluturime.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.