Turizmi hyrës, rriten vizitorët ditorë
Hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri për dy muajt e parë të vitit janë rritur me 4.5%. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë Janarit dhe shkurtit hynë në Shqipëri 358 mijë shtetas të huaj.
Nga këta, rreth 13% kanë deklaruar se kanë ardhur në Shqipëri për pushime. Pjesa më e madhe e të huajve që kanë hyrë në Shqipëri, mbi 75%, janë klasifikuar në të dhënat e Policisë së Shtetit si vizitorë të tjerë dhe qëllimi i vizitës në Shqipëri nuk është i përcaktuar qartë.
Por, ndërkohë, ai segment i vizitorëve të huaj që ka shënuar rritje të fortë kanë qenë vizitorët ditorë. Sipas INSTAT, vizitorët ditorë kanë arritur në 17 mijë afro pesë herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndonëse muajt e parë të vitit mund të mos jenë shumë domethënës në tendencat e turizmit, duket se rritja është e kanalizuar sidomos në segmentin e vizitorëve në periudha të shkurtra, që kanë pak peshë në të ardhurat e ekonomisë. Ndërkohë, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit për dy muajt e parë të vitit kanë rënë lehtë me 0.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.