Turizmi kulturor – Rritje me 22% për vitin 2017
Viti 2017 ka qenë pozitiv për shifrat e turizmit kulturor në vend. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i vizitorëve në muze, monumente dhe parqe arkeologjikë arriti në 669 mijë, në rritje me afro 22% krahasuar me vitin 2016.
Destinacioni kulturor më tërheqës për turistët ngelen parqet arkeologjike. Gjatë vitit 2017, parqet arkeologjike patën mbi 261 mijë vizitorë 13% më shumë krahasuar me vitin paraardhës.
Parqet arkeologjike tërheqin afërsisht 40% të numrit totalë të vizitorëve në atraksionet historike të vendit. Sidoqoftë, numri i vizitorëve në muzeume dhe në kala regjistroi ritme më të shpejta të rritjes, përkatësisht me 33% dhe me 22%.
Shtimi i vizitorëve në monumentet historike i detyrohet kryesisht tendencës pozitive të turizmit hyrës në vend. Gjatë vitit të kaluar, Shqipërinë e vizituan 5.1 milionë shtetas të huaj, shifër kjo në rritje me 8.1% krahasuar me vitin 2016.
Rritja më e lartë e numrit të vizitorëve vitin e kaluar erdhi vendet jofqinje dhe sidomos nga vendet e Europës Perëndimore. Megjithatë, vërehet një fluks i madh turistësh nga tregje të reja dhe sidomos nga Polonia.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.