Turizmi, në 10 vjet do të punësojë 120 mijë njerëz – Do të zërë 10.8% të PBB

1 në 10 njerëz do të punësohen në sektorin e turizmit. Ky është parashikimi që bën Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve në raportin që mbulon zhvillimin e këtij sektori gjatë viteve të fundit dhe atyre në vijim, bazuar në të dhënat e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit.
Në fund të vitit 2016 llogaritet se turizmi dhe sektori i shërbimeve dhe akomodimit të lidhura me turizmin punësonin 85,500 individë, ose 7.7% të totalit të punësimit. Ndërkohë, deri në vitin 2027 parashikimi flet për 120 mijë të punësuar, ose 10.1% e totalit.
Turizmi pritet gjithashtu të sjellë një kontribut të madh direkt në rritjen ekonomike të vendit. Nëse në vitin 2016, kontributi në Produktin e Brendshëm Bruto ishte 123.7 miliardë lekë, ose 8,4%, për vitin 2017 ndikimi pritet të rritet me 5.2%.
Edhe më i madh është kontributi që turizmi do të ketë në të ardhmen për ekonominë e vendit, aq sa të zërë 10.8 të PBB, ose rreth 244 miliardë lekë.
Gjatë vitit 2016 , eksporti i turistëve gjeneroi 219.1 miliardë lekë, që përbën 56.1% të totalit të eksporteve. Kjo parashikohet të rritet me 5.0% në vitin 2017 dhe me 6.2%, në periudhën 2017-2027, në 419.4 miliardë lekë në 2027, me një peshë totale 62.4%
Në të ardhmen pritet gjithashtu edhe një rritje e investimeve në turizëm, çka pritet të realizohet falë uljes së TVSH-së për strukturat akomoduese dhe tërheqjes së markave ndërkombëtare në hoteleri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.