Turizmi në Shqipëri – Kasa: Rritet numri i turistëve të huaj, në rënie 15% turistët nga Kosova

Viti 2017 ka qenë një vit i mirë për turizmin në Shqipëri pasi ka pasur një numër më të lartë të turistëve të huaj krahasuar me një vit më parë, kryesisht nga vendet evropiane.
Në një intervistë për televizionin SCAN kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa theksoi se gjatë këtij sezoni vetëm në aeroportin e Rinasit ka pasur mbi 30 fluturime charter në javë ndërsa shtoi se një pjesë e konsiderueshme ka qenë turizëm individual.
“Është shtuar numri i turistëve që vijnë në Shqipëri. Ajo që është më e rëndësishme për një sezon turistik dhe për turizmin në përgjithësi është turizmi i organizuar. Aktualisht në Aeroportin e Rinasit ka rreth 30 fluturime charter në javë.”
Më tej, Kasa shtoi se gjatë këtij viti është evidentuar një rënie turistëve nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare me 10-15% krahasuar me vitin 2016.
“Për sa i përket turistëve nga Kosova ose Maqedonia ose e cilësuar ndryshe si turizmi patriotik, luhatja është në të njëjtat shifra. Mesa jam në dijeni edhe nga Shoqata e Turizmit të Kosovës ka një rënie të këtij numri, sa i takon këtyre turistëve nga Kosova dhe të gjithë hapësirat shqiptare. Ka një rënie 10-15 për qind. Kjo ka ardhur si shkak i pamundësisë së akomodimit, pasi siç e përmenda pak më para shumë nga hotelet dhe resortet janë të bllokuar me turistë nga Europa”.
Sa i takon ndryshimit të çmimeve të hotelerive kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa theksoi se gjatë këtij sezoni turistik rritja ka qenë e lehtë, por kjo nuk i ka penguar turistët e shumtë të përzgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.