Turizmi në Tiranë – Veliaj: U rrit 2.5 herë, po kthehet në punëdhënës të madh

Turizmi në kryeqytet është rritur me 2.5 herë, duke sjellë një impakt pozitiv edhe në ekonomi”. Deklarata është bërë nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, tha se ky sektor po kthehet në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Tiranë.
“Sot, njerëzit që janë punësuar nga rritja 2 herë e gjysmë e turizmit numërohen duke filluar nga sektori i kuzhinës, i shërbimeve, tek hoteleria, guidat turistike etj. Po kthehet në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qytet dhe besoj se kjo është e ardhmja e Tiranës, pastaj edhe e gjithë Shqipërisë”.
Deklaratat e kryebashkiakut u bënë gjatë hapjes së një qendre të re informacioni për të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë kryeqytetin, duke ofruar të dhëna rreth transportit publik, operatorëve turistikë, guidave, si dhe aktiviteteve të shumta kulturore dhe sportive.
“Jam shumë i lumtur sot që në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit hapim një Info-Point, një qendër informacioni të fokusuar tek turistët për qytetin e Tiranës, këtu në kilometrin zero, në sheshin “Skënderbej”. Besojmë gjithnjë e më shumë se turizmi do të jetë një mënyrë se si do të funksionojë ekonomia e Tiranës. Tirana, përveç se është epiqendra e artit, kulturës, ekonomisë, financës, arsimit dhe universiteteve, është pa dyshim edhe destinacioni primar turistik, përpara se turistët të shkojnë e të eksplorojnë pjesë të tjera të Shqipërisë”.
Kreu i Bashkisë u shpreh se falë investimeve të realizuara në këto dy vite, kryeqyteti u garanton turistëve atraksione të shumta, ku ndërthuret mjaft bukur e shkuara dhe vizioni modern i Tiranës së të ardhmes.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.