Turizmi përfiton nga “bumi” i lejeve për hotele – Industria, investimet më të mëdha në ndërtim
Sektori i ndërtimit po kalon një periudhë mjaft pozitive ndihmuar veçanërisht nga investimet publike në punime inxhinierike si rrugë e autostrada, por edhe në ndërtesa për qëllime banime apo të tjera. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se ka një dyfishim lejesh të dhëna për ndërtim për periudhën Janar-Mars, sidomos në kategorinë e ndërtesave të tjera.
Janë 25 leje ndërtimi të akorduar në këtë periudhë për hotele dhe struktura të ngjashme akomoduese, çka do të ndihmojnë veçanërisht turizmin vitet e ardhshme sa i takon shtimit të kapaciteteve pritëse. Ndihmuar edhe nga ulja e TVSH-së për turizmin në 6%, sipërmarrësit do të investojnë mbi 684 milionë lekë për ndërtimet e reja.
Vrulli i ndërtimeve për turizëm është konstatuar që në tremujorin e dytë të vitit të kaluar dhe vetëm që nga Prilli 2017 janë akorduar 73 leje për hotele, krahasuar me 19 leje që nga Janari 2015 deri në Mars 2017. Në total, në një vit flitet për 3.2 miliardë lekë investime në struktura akomoduese.
Megjithatë, investimet më të mëdha private në sektorin e ndërtimit po kryhen nga industria. Gjatë periudhës Janar-Mars janë akorduar 28 leje për ndërtesa industriale me një vlerë prej 1.5 miliardë lekësh. Në një vit bëhet fjalë për mbi 4.8 miliardë lekë të planifikuara të investohen për këtë qëllim.
Të dy treguesit e mësipërm flasin për investime të mëdha në dy drejtime të ekonomisë ku Shqipëria mbështetet për të ardhmen: industrinë dhe turizmin.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.