Turizmi që nuk e kemi parë ende…

Kur dukej se biznesi thuajse po e “harronte” kërkesën e tij disavjeçare për uljen e TVSH-së në fushën e turizmit, qeveria më në fund e firmosi vendimin. E vulosi në prag të fillimit të sezonit turistik në vend, duke u dhënë sipërmarrësve të kësaj fushe një prej “çelësve të suksesit”, që kishin kërkuar prej kohësh për “një turizëm ndryshe”. Duke e konsideruar dhe si një premtim të mbajtur, ministri i atëhershëm i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi arsyet pse qeveria vendosi të ulë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për turizmin nga 20 në 6 për qind.
Sipas tij, ulja e TVSH-së në sektorin e turizmit do të sjellë Shqipërinë në nivele konkurruese me vendet e tjera të rajonit, por edhe më të gjitha vendet e tjera që kanë ekonomi të fortë turizmi. Teksa paralajmëroi që, pas lehtësimit të taksave qeveria nuk do të tolerojë më informalitet në fushën e turizmit. Qeveria e pranoi më në fund se ulja e TVSH-së në turizëm ishte nevojë, për shkak të konkurrencës me rajonin. Në relacionin përkatës që shoqëroi ligjin për TVSH-në, duke iu referuar gjuhës së krahasimit, evidentohej se 22 vende anëtare të Bashkimit Evropian aplikojnë TVSH të reduktuar për turizmin.
Ndërkaq, 20 prej tyre rezultojnë me një normë më të ulët se 10%. Shqipëria renditej mes vendeve me nivelin më të lartë të kësaj takse. Tashmë, pas “çlirimit” të TVSH-së nga qeveria, po aq “i çliruar” ndjehej edhe biznesi i turizmit. Por turizmi nuk është vetëm tatim mbi vlerën e shtuar dhe as një apo dy sezone. Turizmi është shërbim, cilësi, infrastrukturë dhe kënaqësi në çdo kohë. Hapi i parë u hodh nga qeveria. Tani e kanë rradhën sipërmarrësit e kësaj fushe. Këta të fundit e shikojnë në tri fusha ndikimin e TVSH-së tashmë të ulur: në reduktimin e informalitetit; rritjen e të ardhurave dhe të investimeve; rritjen e konkurrencës.
Efektet dhe kapaciteti
Ulja e TVSH-së për turizmin ka qenë një diskutim prej shumë vitesh në Shqipëri. Sipërmarrësit në këtë fushë u kanë kërkuar qeverive që norma dhe aplikimi i TVSH-së në sektorin e turizmit duhej ulur, për t’u ndjerë konkurrues me vendet e tjera të rajonit. Prej kohësh, këto të fundit kanë aplikuar tarifën e reduktuar, ndërkohë që Shqipëria kishte ende tarifën standarde. Ashtu sikurse Maqedonia që e takson turizmin me vetëm 5%, Mali i Zi me 7%, Serbia me 10% apo dhe Kosova që aplikon tarifën e reduktuar, dhe Shqipëria tanimë ka një tarifë të reduktuar për turizmin. Një shenjë e mirë kjo për turizmin shqiptar, që të paktën tani e tutje nuk do të ankohet për TVSH-në e lartë.
Një pjesë e madhe e biznesit të kësaj fushe, edhe pse rendisin disa probleme dhe sfida të tjera të rëndësishme, shprehen optimistë për të ardhmen e turizmit shqiptar. Skeptikët e kanë të vështirë të rendisin efektet e TVSH-së së reduktuar. Sipas tyre, vështirësia qëndron më së pari tek informaliteti i lartë në këtë fushë, i cili nuk është llogaritur ndonjëherë dhe vlerësohet si shkaku kryesor i mungesës së konkurrencës në këtë sektor.
Duke iu referuar përsëri relacionit që iu dorëzua Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, evidentohet pikërisht fakti se 90% e shtretërve në njësitë akomoduese nuk paguajnë taksa. Një shkallë shumë e lartë informaliteti që i dëmton të gjithë aktorët e turizmit, ashtu dhe vetë buxhetin e varfër të shtetit. Ndërkohë, nga ana tjetër, numri i strukturave akomoduese ka ardhur në rritje nga viti në vit, e gjithashtu edhe numri i vizitorëve apo kërkesat për akomodim. Një tjetër referencë serioze, “Booking.com“ flet 1300 hotele, me çmime konkurruese, me ushqim të mirë dhe të lirë. Duke vijuar përsëri me faqen “Booking.com“, numri i shtretërve dhe i net-qëndrimeve në hotele rezulton i lartë. Për vitin 2015 ka qenë gjegjësisht 42 mijë shtretër dhe 791 mijë netë.
Referuar autoriteteve që deklarojnë afërsisht 20 milionë netë fjetjeje në vit në Shqipëri, nga të cilat 10 milionë gjenerohen nga hotelet, me një llogari fare të thjeshtë matematikore duhet që, vetëm nga tatimi mbi vlerën e shtuar 20% për shtrat dhe netë, duhet të ishin akumuluar 30 milionë euro. Kjo shifër vetëm nga hotelet. Për vitin e kaluar, Ministria e Financave deklaroi rekordin në numrin e vizitorëve, me rreth 4.5 milionë, dhe të ardhurat nga turizmi që arritën shifrën gjithashtu rekord prej 1.5 miliardë euro. Por, pa e shpjeguar këtë statistikë realisht të kënaqshme.
Ndërkohë që, me vendimin më të fundit për reduktimin e TVSH-së për turizmin pranon se efekti negativ në buxhet do të jetë 1.1 miliardë lekë. Autoritetet kanë paralajmëruar një fushatë të gjerë formalizimi, me qëllim uljen drastike të informalitetit. Nga ana tjetër, informalitetin e lartë e evidenton edhe Shoqata e Turizmit, ATA, e cila përmes një relacioni të saj dorëzuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, thekson se afro 90% e shtretërve në njësitë akomoduese nuk paguajnë taksa. Shoqata sugjeronte regjistrimin e apartamenteve dhe vilave që përdoren nga turistët, si një nga “industritë që po merr zhvillim të jashtëzakonshëm në Europë dhe zë gati 35 përqind të tregut”.
Edhe shembulli që ofrojnë nxjerr në pah shkallën e lartë të shmangies nga ligji: Nëse gjatë verës 250 mijë vetë strehohen diku, e nga hotelet vijnë si të regjistruar vetëm 30 mijë vetë, atëherë kemi 90% të tregut të papasqyruar. Në sinkron me shoqatat e turizmit janë dhe autoritetet: Nuk janë paguar nga pjesa e bregdetit as 500 mijë dollarë TVSH. “Në vendet e rajonit, taksa e fjetjes përllogaritet në 1 euro. Ndërsa në Shqipëri varion në jo më shumë se 5% e çmimit të dhomës. Ndaj mbetet e vështirë për të përllogaritur informalitetin, që arrin në miliona euro vetëm në këtë pjesë të sektorit të turizmit”, ka deklaruar ish-ministri i Financave.
Shtylla e ekonomisë
Pavarësisht informalitetit të tanishëm, infrastrukturës së dobët, pavarësisht se hotelet shqiptare ofrojnë kapacitete të ulëta, hezitimit të kompanive të njohura botërore për të hyrë në tregun shqiptar, investitorëve lokalë që u duhet të mendojnë dhe ndërtojnë godina sipas standardeve ndërkombëtare, shërbimit që ende është larg cilësisë së duhur, marketingut të cunguar etj, avantazhet e Shqipërisë janë të panumërta.
Pikërisht këto avantazhe janë marrë parasysh, ndër të tjera, edhe në strategjinë për zhvillimin e turizmit deri në vitin 2020. Çfarë synohet? Nga turizmi me mungesë cilësie, në standarde evropiane; nga turizmi totalisht spontan apo në rënie të lirë, tek ai me rregulla dhe garanci për konsumatorin; nga hotelet pa yje ose me yje false, tek sistemimi dhe klasifikimi real i tyre; nga mungesa e plotë e guidave tek guidat profesionale e të certifikuara; dhe nga një situatë kaotike, qoftë në rregulla apo elementë bazë, në një situatë tërësisht ndryshe, konkurruese e denjë me rajonin dhe më gjerë.
Të gjitha këto deri tani janë në letër. Në praktikë gjërat janë më ndryshe, më të vështira e më sfiduese. Ata që e njohin mirë fushën e turizimit kanë një arsye të fortë për të qenë optimistë: Sipërmarrësit në këtë fushë, investitorët dhe të gjithë aktorët e turizmit e kanë kuptuar se ka ardhur koha për të ndryshuar. Është koha që kërkohen standarde dhe produkte e shërbime cilësore. Askush nuk duhet t’u shmanget kërkesave të rrepta të kohës, nëse dëshiron të mbijetojë në një treg rreptësisht konkurrues siç është turizmi. Një sektor që nga viti në vit po jep prova se është një shtyllë e fortë e ekonomisë.
Nga vlerësimet e përafërta, kontributi direkt i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto është 4.8% dhe autoritetet parashikojnë që deri në vitin 2020, kohë kur shtrihet edhe strategjia kombëtare, ky kontribut të arrijë në 6.1%. Çfarë parashikon strategjia sa u përket shifrave për punësimin, në pamje të parë, duket e ekzagjeruar, por ekspertët këmbëngulin se “janë shifra që mund të arrihen”. Kështu, edhe falë certifikimit të njësive hoteliere, shoqëruar me program të detajuar për trajnimin e burimeve njerëzore të nevojshme për cilësinë e turizmit që synohet, në mënyrë direkte pritet të punësohen mbi 60 mijë vetë në fushën e turizmit deri në vitin 2020, ndërsa në mënyrë indirekte shifra e të punësuarve të pritshëm do të jetë 220 mijë.
U.Bajrami/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.