Turizmi shqiptar prezantohet në Panairin e Moskës. Kompanitë ruse interes për të nisur fluturimet “Charter” drejt Shqipërisë nga Maji i këtij viti

Turizmi shqiptar prezantohet në Panairin “MITT 2017” të Moskës, i cili po mbahet gjatë datave 14-16 Mars. Prezantimi i Shqipërisë turistike në këtë Panair po bëhet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, të cilët në një njoftim për mediat thonë se “ Me bashkëpjesëmarrjen e gjashtë operatoreve të sektorit privat, stenda e Shqipërisë që në ditën e parë ka pasur një numër tejet të madh vizitorësh, të cilët kanë treguar një interes të veçantë për vendin tone. Interes të lartë kanë treguar edhe disa nga Operatorët më të mëdhenj rusë, të cilët kanë kërkuar informacion të mëtejshëm për vendin tonë dhe potencialin turistik, jo vetëm gjatë sezonit veror”.
Gjatë këtij panairi drejtori i Përgjithshëm te AKT-se Ardit Çollaku zhvilloi një takim me përfaqësues të njërës nga kompanitë më të mëdha të fluturimit në vend “RusLine” , ku u diskutua për mundësinë e fillimit të fluturimeve direkte me Shqipërinë, si një destinacion i ri për tregun rus.
Nga ana e tij drejtori i Departamentit të kompanisë “RusLine” Alexey Donchenko, konfirmoi interesin e tij dhe të disa operatoreve turistik rus, për të filluar fluturimet direkte charter me vendin tone, duke nisur kjo që nga muaji Maj i këtij viti.
Në takimet e realizuara, pjesëmarrës ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë ne Moskë Arben Gazioni, i cili gjithashtu pati rastin të takohej me operatorët e pranishëm në stendë, ku i falenderoi ata për pjesëmarrjen.
‘Tashme, AKT me rritjen e promovimit për turizmin, po harton me ndihmën e ekspertëve të huaj programet përkatëse të cilat do të zhvillojnë më tej produktet turistike, për të bërë kështu të mundur një turizëm gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm. Pjesëmarrja dhe prezenca e AKT-së në tregun rus është një tjetër pjese e kësaj strategjie për të zhvilluar sa më shumë këtë sektor prioritar”, thuhet në njoftimin e AKT-së.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.