Turizmi shqiptar “tërheq” polakët – Interes për investime në përmirësimin e infrastrukturës
Turizmi shqiptar është sektori kryesor që tërheq polakët, ku numri i turistëve vitet e fundit është rritur ndjeshëm. Ndërsa nga ana tjetër, interesi për të investuar, kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës turistike nga ana e Polonisë është i lartë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti në takim homologun e Polonisë, ku u bë me dije edhe interesi i përbashkët në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, të përqendruar kryesisht në fushën e turizmit por edhe më gjerë. Ndërkohë që në fund të këtij muaji do të zhvillohet forumi ekonomik mes dy vendeve, i cili pritet të rezultojë në bashkëpunime konkrete.
“Marrëdhëniet politike janë kushti për të pasur marrëdhënie ekonomike. Po punojmë të rritur shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve. Në fushën e bujqësisë, të ndërtimit, të industrisë së armatimit, Polonia i ka potencialet që të përmbushë kërkesat që ka Shqipëria. Në të ardhmen, një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë mund të jetë turizmi dhe Polonia mund të marrë pjesë në zhvillimin e infrastrukturës së turizmit në Shqipëri. Jam i bindur se në forumi ekonomik që do të zhvillohet mes dy vendeve në fund të Majit, potencialet mes dy vendeve do jenë pikë diskutimi”.
Ministri polak theksoi se vendi i tij mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Evropë, ndërsa theksoi që është e nevojshme që BE të përcaktojë afate të qarta, për ti dhënë më shumë shtysë vendeve kandidate në përmbushje të detyrave të tyre.
“Duhet përcaktuar qartë data e hyrjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian sepse u jep shtysë vendeve kandidate për të punuar. Duke përcaktuar një datë konkrete, vendet do të kenë një periudhë shprese reale. Duke qenë se Presidencën këtë vit e ka Bullgaria është moment i duhur të theksojmë më forcë zgjerimin, por me data konkrete. Polonia e mbështet vendosmërisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe mund të ofrojmë eksperiencën tonë sa i takon periudhës së paraantëtarësimit”.
Pas dhënies së rekomandimit për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, qeveria shqiptare ka nisur lobimin për të marrë mbështetjen e plotë të vendeve anëtare, me qëllim përshpejtimin e procesit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.