Turqi/ Hyn në fuqi ligji me rregullat shtrënguese për mediat sociale
Një ligj që forcon ndjeshëm kontrollin e autoriteteve mbi rrjetet sociale ka hyrë zyrtarisht në fuqi në Turqi. Rregulloret e reja kërcënojnë praninë e Twitter dhe Facebook në vend nëse nuk i binden kërkesave për heqjen e përmbajtjes së diskutueshme.
Legjislacioni i zbatuar nga e enjtja do të thotë që rrjetet sociale me më shumë se një milion lidhje unike në ditë duhet të kenë një përfaqësues në Turqi. Platformat gjithashtu do të duhet t’u binden urdhrave të gjykatës turke për të hequr përmbajtjen që raportohet si ofenduese ose nga individë ose nga qeveria brenda 48 orësh.
Mosarritja për ta bërë këtë mund të çojë në gjoba deri në 4.3 milion euro ose kufizime në gjerësinë e bandës, duke bllokuar hyrjen në platformë. Qeveria e Turqisë miratoi legjislacionin në korrik, më pak se një muaj pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan bëri thirrje për një “pastrim” të faqeve të rrjeteve sociale.
Presidenti turk i është referuar Twitter si një kërcënim, duke besuar se rrjeti social kishte lehtësuar mobilizimin për demonstrata anti-qeveritare në 2013. Në fillim të korrikut, presidenti turk bëri thirrje për “vendosjen e rendit” në rrjetet sociale pasi vajza dhe dhëndri i tij u vunë në shënjestër të fyerjeve në Twitter.
Kritikët thonë se ligjet e reja përfaqësojnë një goditje të qeverisë ndaj lirisë së shprehjes.
“1 Tetori është afati i fundit që rrjetet sociale të caktojnë një përfaqësues në Turqi,” tha Yaman Akdeniz, një profesor i drejtësisë në Universitetin Bilgi të Stambollit. “Për shumë njerëz që përdorin mediat sociale për të arritur lajmet e tyre, media sociale është një litar shpëtimi, kështu që ky ligj i ri shënon një epokë të re të errët të censurës në internet,” shtoi Emma Sinclair-Webb, drejtoreshë e Human Rights Watch në Turqi.
Sidoqoftë, disa aktivistë të të drejtave të njeriut dyshojnë se qeveria do të jetë në gjendje të zbatojë masat e rrepta të parashikuara në ligj. Në gjysmën e parë të vitit 2019, Turqia ishte në krye të listës së vendeve që kërkonin heqjen e përmbajtjes nga Twitter, me më shumë se 6,000 kërkesa.
Në vitin 2019, Turqia bllokoi hyrjen në 408,000 site, 40,000 tweets, 10,000 video në YouTube dhe 6,200 share në Facebook, sipas aktivistit për të drejtat në internet Sevket Uyanik. “Imagjinoni çfarë mund të ndodhë pasi ligji i ri të hyjë në fuqi,” tha Uyanik. (Euronews)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.