Turqi-Shqipëri, disa shifra që duhet të dini para fillimit të ndeshjes – Kombëtarja shqiptare kushton sa gjysma e asaj turke

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit do të përballet ndaj asaj të Turqisë në orën 18:30 në një ndeshje miqësore. Krahas orarit, ja edhe disa shifra të tjera që duhet të dini në lidhje me këtë sfidë.
Renditja
Kombëtarja e Turqisë gëzon një renditje të lartë shumë më të lartë se Shqipëria në klasifikimin e FIFA. Edhe pse me një rënie prej 6 pozicionesh nga renditja e kaluar, në vendin e 33-të Turqia gjendet plot 38 vende sipër Shqipërisë, e cila pas rezultateve të fundit të dobëta ndodhet në pozicionin numër 71.
Mosha
Me një moshë mesatare 25.1 vjeç, Turqia mund sërish Shqipërinë në statistika, e cila vjen më e plakur me një moshë mesatare 26,5 vjeç.
Vlera e ekipit
Pavarësisht faktit se pjesa dërrmuese e futbollistëve të kombëtares shqiptare luajnë jashtë vendit (92,3%), është përfaqësuesja turke e cila ka një vlerë më të lartë të grumbulluar të kartonëve të lojtarëve (vetëm 30.4% luajnë jashtë). Sipas transfermarkt, 23 lojtarët e kombëtare turke kanë një vlerë tregu prej 126.48 milionë eurosh, me një mesatare prej 5.5 milionë eurosh për lojtar.
Nga ana tjetër, Shqipëria nuk arrin dot as gjysmën e kësaj shume dhe me një vlerë mesatare prej 2.07 milionë eurosh për lojtarët, kartonët e grumbulluar të 26 lojtarëve të kombëtares arrin në vetëm 53.9 milionë euro.
Vlera sipas reparteve
Nëse do të bënim krahasimin e vlerës së futbollistëve sipas sektorëve ku ata luajnë, Shqipëria arrin të marrë një barazim ndaj Turqisë. Porta e kombëtares shqiptare dhe mbrojtja kanë një vlerë më të lartë se ato të përfaqësues turke. Megjithëse në mbrojtje, fitorja merret si meritë vetëm e vlerës së kartonit 18 milionë eurosh të Elseid Hysaj, mbrojtësit të krahut të djathtë të Napolit.
Nga ana tjetër, diferencat e vërteta shfaqen në vlerat e mesfushës dhe sulmit, reparte ku vlera e lojtarëve shqiptarë nuk i kalojnë 3 milionë eurot.
Lojtarët me kartonin më të shtrenjtë
Hakan Calhanoglu, mesfushori i Milanit, me një vlerë prej 20 milionë eurosh tejkalon vlerën e kartonit të Hysaj, i cili merr medalje argjendi. Në dhjetëshen e futbollistëve më të shtrenjtë, Shqipëria ka vetëm 2 lojtarë, ku në vendin e 10-të e mbyll listën Etrit Berisha.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.