Turqia dëbon anijen që do bënte shpime nafte në Qipro – Kthehet në çështje ndërkombëtare

Anija e marrë me qira nga “Eni”, gjigandi italian i naftës, e bllokuar prej dy javësh në bregun juglindor të Qipros nga marina ushtarake turke, do të largohet nga ujrat e Mesdheut lindor.
Platforma, e cila kishte marrë një licencë nga Nikosia për të kryer shpime për naftë do t’i drejtohet Marokut, pas bllokimit të rrugës së saj nga 5 mjete lundruese nga Ankaraja, të cilat sipas raportimeve kanë kërcënuar se do të ushtrojnë forcë.
Njoftimi vjen nga qeveria e Nikosia, sipas së cilës bëhet fjalë për një ndalesë, por e cila nuk do të pengojë në muajt e ardhshëm eksplorimet e parashikuara të hidrokarbureve nga zona e saj ekskluzive ekonomike, e cila pjesërisht pretendohet edhe nga Ankaraja dhe turko-qipriottët.
Ndër kompanitë e tjera që kanë përfituar licenca janë francezët e Total dhe amerikanët e ExxonMobil.
Tashmë, anija “Saipem 12000”, do të ndryshojë kurs, nga drejtimi për në bllokun 3, në portin e Limasolit për t’u furnizuar, e më pas do të niset drejt Marokut, siç njofton administratori i Eni.
Pas tensioneve në det, tashmë loja do të zhvillohet në fushën diplomatike. Presidenti qipriot Nikos Anastasiadis, i cili ndodhej në Bruksel për mbledhjen informale të liderëve të 27 shteteve të BE e ka diskutuar çështjen me presidentin e KE, Jean-Claude Juncker dhe me kryeministrin grek Alexis Tsipras.
Në ditët në vijim priten takime të reja të nivelit të lartë për të adresuar problemin që po rëndon tensionet mes Brukselit dhe Ankarasë, një muaj para samitit të shumëpritur të Varnas mes presidentit turk Erdogan dhe krerëve të BE.
Ndërkohë, Qipro ka deklaruar se do t’i drejtohet gjykatave ndërkombëtare. “Turqia mendon se mund të na trembë në mënyrë të tillë që të ndalim aktivitetet tona. Në të kundërt, do të vazhdojmë me programin tonë, pavarësisht të gjitha provokimeve”, shprehet Nikosia zyrtare.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.