Turqia përballet me shansin e fundit për të mos krijuar një krizë të thellë në NATO!

Në prag të samitit të Osakës, Rexhep Tajip Erdogan është një figurë shumë e zvogëluar, ndoshta më e dobëta që ai ka qenë ndonjëherë në shoqërinë e kolegëve të tij globalë. Ai po vjen nga një humbje e turbullt zgjedhore në Stamboll, me recesionin e parë ekonomik të vendit të tij në një dekadë dhe marrëdhëniet e tij me Perëndimin janë shumë të përkeqësuara.
Turqia po përballet me sanksione për shkak të sfidës që i bëri NATO-s duke blerë pajisje ushtarake ruse dhe Bashkimi Evropian po kërcënon të ngrijë negociatat e doganave për aktivitetet e saj të shpimit në Mesdheun lindor.
Kur të takohet me Presidentin e SHBA, Donald Trump, Erdogani do të jetë në pozicionin e fundit gjeopolitik. Ardhja e menjëhershme e sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400 që Turqia bleu do të shkaktojë ngjarje që mund të shkaktojnë akoma më shumë dhimbje në ekonomi dhe t’i sjellin lidhjet me NATO-n në pikën e thyerjes.
Për Trump gjithashtu, kjo mund të jetë një mundësi përfundimtare për ta tërhequr Turqinë nga një ndikim rus dhe të rivendosë vendin e SHBA-së në aleancë. Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu do të dëshirojë të përfitojë nga dobësia e re e kreut turk. Por Trump ka argumentin më të mirë.
Presidenti turk nuk duhet të ketë nevojë për ndonjë kujtesë se çfarë do të humbë vendi i tij nëse instalon sistemet ruse: SHBA do të ndalojë shpërndarjen e 100 avionëve luftarakë F-35, do të pezullojë pjesëmarrjen e Turqisë në prodhimin e pjesëve të saj dhe ndoshta do të vendosë sanksione të reja mbi një ekonomi turke tashmë të lëkundur.
Megjithatë Erdogan është shprehur se vendimi i tij nuk kthehet mbrapsht, pavarësisht kostove. Kështu, Trump duhet të ndërtojë një strategji, në mënyrë që Erdogan të rikthejë mbrapsht vendimin e tij, por gjithashtu pa pasur kosto personale dhe elektorale.
Mundësia më e lehtë është ajo që mund të quhet ‘Zgjidhja e Qipros’. Në fund të viteve 1990, qeveria e mbështetur nga Greqia në Qipro bleu sistemin rus të mbrojtjes nga raketat S-300, duke shkaktuar një krizë në NATO. Turqia, duke argumentuar se avioni i saj do të ishte brenda rrezes së raketave, kërcënoi sulme ushtarake nëse sistemet do të instaloheshin. Kjo, nga ana tjetër, rrezikoi paqen delikate midis Turqisë dhe Greqisë, të dyja anëtare të NATO-s. Në fund, falë ndërmjetësimit amerikan, sistemi S-300 u transferua në ishullin grek të Kretës, aq larg sa nuk mund të kërcënonte aviacionin turk. Rusia mori paratë e saj dhe paqja u rivendos midis Ankarasë dhe Athinës.
Marrëveshja S-400 e Turqisë është më e komplikuar. Në rrezik nuk është vetëm një anëtar i NATO-s, por siguria e gjithë aleancës. Sistemi rus mund të lejojë që Moska të mbledhë informata vitale mbi avionët luftarakë të gjeneratës së re, si F-35, duke i bërë ato më pak efektive ndaj baterive ruse. Sistemi S-400 nuk mund të transferohet në ndonjë lokacion tjetër të NATO-s.
Ajo që Turqia mund të bëjë, megjithatë, është marrja e sistemit … por mos instalimi i tij. Nëse Erdogan angazhohet për të stokuar S-400, ndoshta në një nga bazat e NATO-s në Turqi, kjo do të eliminonte kërcënimin ndaj aleancës. Rusia, ashtu si në rastin e Qipros, do të paguhet. Mendohet që sistemi të kushtojë 2.5 miliard dollarë. SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.