Turqit “vërshojnë” drejt dollarit – Kolapsi i lirës dhe inflacioni i lartë nxit rezervat në valutë
Turqia është padiskutim në recesionin më të thellë që prej krizës financiare globale ndërkohë që gjatë Marsit, lira turke ka rënë thuajse çdo ditë të muajit, duke i thelluar humbjet me 2%. Afrimi i zgjedhjeve ndërkohë shton edhe më shumë pasigurinë mbi ekonominë turke dhe sidomos valutën, e cila po fundoset kundrejt dollarit amerikan. Kjo ka bërë që rezervat e ekonomisë turke dhe familjarëve në valutë të huaj të rriten ndjeshëm. Rezervat në valutë të Turqisë janë rritur përtej nivelit të 175 miliardë dollarëve thonë të dhënat më të fundit që vijnë nga vendi.
Depozitat në dollarë zënë 50% të totalit, niveli më i lartë që prej vitit 2006. Për pjesën më të madhe të turqve, kolapsi i monedhës vendase vitin e kaluar është ende një plagë e freskët. Politikat monetare që u ndoqën që prej gushtit të vitit të kaluar, kur edhe nisi fundosja e lirës nuk është se e kanë ndihmuar shumë situatën. Kërkesa e lartë e turqve për dollarë është një shenjë e qartë se, qeveria po mbështetet te huadhënësit për të nxitur rritjen duke shtyrë normat e depozitave drejt niveleve të atilla që të kompensojnë inflacionin e çmimeve të konsumit.
Pikërisht çmimet janë 4 herë mbi limitin zyrtar të Bankës Qendrore të vendit. Për të zbutur disi impaktin e inflacionit të shtresat më të ulta, bashkitë në qytetet më të mëdha në vend po i shesin fruta-perimet me çmime mjaft të ulta duke nxitur edhe një luftë çmimesh me shitësit me pakicë dhe shumicë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.