Tusk i heq shpresat May – “Mos prisni tregti pa kosto në kufij pas daljes nga tregu i përbashkët”
Presidenti i Bashkimit Europian Donald Tusk, paralajmëroi Mbretërinë e Bashkuar se nuk mund të presë tregti pa kosto në kufij, pasi të dalë nga tregu i përbashkët. Kjo përmbys pritshmëritë e Theresa May, përpara se ajo të japë vizionin e saj për marrëdhënien e vendeve pas Brexit.
“Kostot në kufij përbëjnë një efekt anësor të pashmangshëm të Brexit”, tha Tusk përballë liderëve të biznesit në Bruksel. Një muaj përpara samitit të rëndësishëm ku May synon të arrijë një dakordësi mbi periudhën e tranzicionit dhe të nisë diskutimin mbi tregtinë në të ardhmen, ndërhyrja e Tusk përbën një tjetër shenjë se BE nuk do të thyejë parimet kryesore.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se kërkon të ketë sa më pak kosto në kufij në marrëdhënien tregtare që vendet do të kenë në të ardhmen, por zyrtarët e Bashkimit Europian kanë thënë se nuk mund të gëzojë të njëjtat përfitime si të ishte vend anëtar. Dokumenti i marrëveshjes përfundimtare të Brexit, i publikuar nga negociatori kryesor i BE, Michel Barnier, shkaktoi irritim në palën britanike dhe May tha se opsioni i mbajtjes së Irlandës së Veriut në unionin doganor të BE është i papranueshëm.
Tusk tha gjithashtu se marrëdhënia e Britanisë me BE do të përcaktohet edhe nga barrierat që do të vendosë Qeveria, duke shtuar se nëse vendi refuzon lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe juridiksionin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, atëherë nuk mund të presë lidhje të fortë. Pas një takimi me përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare në Bruksel këtë javë, Barnier tha se nuk ka garanci mbi arritjen e një dakordësie mbi kushtet e tranzcionit këtë javë.
Ndërkohë, ish kryeministri i vendit, Tony Blair, ka thënë se Bashkimi Europian nuk do t’i japë kurrë Britanisë, të njëjtin akses që ka patur në tregun e përbashkët kur ishte vend anëtar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.