TVSH e turizmit – Kërkohet mendimi i grupeve të interesit

Ulja e TVSH për turizmin pritet të japë impaktet e para te çmimet e strukturave hoteliere.
Në këtë të konsolidimit të projekt-vendimit të Këshillit të Ministrave për zbatimin e ndryshimeve në ligjin për TVSH-në, Ministrja e Financave, Helga Vukaj, e ka përcjellë këtë akt për vlerësim pranë Këshillit Tatimor si dhe grupeve të interesit, pas kërkesës së tyre.
Sipas njoftimit zyrtar të këtij dikasteri, Ministria e Financave ka përgatitur aktin dhe mbetet në pritje të vlerësimeve përfundimtare nga institucionet e mësipërme për miratimin e tij. Pjesë të konsultimit janë grupet e interesit/dhomat e biznesit, me qëllim konsolidimin e këtij projekt-vendimi.
“Ministria e Financave nxit grupet e interesit/dhomat e biznesit dhe Këshillin Tatimor që sa më shpejt të japin vlerësimet e tyre në mënyrë që ndryshimet në Ligjin për TVSH-në të implementohen gjatë sezonit turistik të këtij viti”, thuhet ne njoftimin e Financave.
Ulja e TVSH-së në masën 6 % për strukturat akomoduese në fushën e turizmit pritet të nxisë investimet në këtë sektor jetik për ekonominë shqiptare. Implementimi i tij do të shoqërohet me rritjen e konkurrencës dhe uljen e çmimeve.
Vendimi për uljen e TVSH-së për turizmin u bë vetëm një muaj më parë nga 20 % që ishte në 6%. Ky vendim prek vetëm strukturat akomoduese dhe jo sektorët e tjerë të turizmit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.