TVSH te biznesi i vogël, Preçi: Formalizon tregun, por prek “të varfërit”
Ideja për të futur në rrjetin e regjimit të TVSH-së biznesin e vogël do të formalizojë tregun, por do të ndikojë negativisht të bizneset më të varfra.
Sipas ekspertit të Ekonomisë, Zef Preci, qeveria para se të vendosë këtë masë duhet të përgatisë sipërmarrjen për këtë nismë me një fushatë të gjatë konsultuese. Ai propozon TVSH zero për biznesin e vogël.
“Është më se normale dhe kjo pjesë e biznesit të përfshihet në normalizim, do të thotë që tatimi mbi vlerën e shtuar të mos shihet si instrument për të mbledhur të ardhurat në këtë rast, por si një instrument kontrolli, në mënyrë që të mbyll atë boshllëk kalimi nga shumica te pakica dhe ofrimi i mallrave nëpërmjet biznesit të vogël te konsumatori fundor. Në të njëjtën kohë duhet pranuar që biznesi i vogël, një pjesë e madhe e tij është biznes i mbijetesës, biznes punësim, vetëpunësim, biznes familjar, i cili ka një kosto tejet të vogël menaxheriale, sepse aq e ka normën e fitimit.”
Sipas studimeve, thotë Preçi, një biznes i madh mund të harxhojë për raportimin financiar rreth 1 % të shpenzimeve, por një biznesi të vogël mund t’i “gëlltisë” pagën e një muaji, që do të thotë që e çon në kufijtë e mbijetesës. Ndaj ai propozon që raportimet të mos bëhen një herë në muaj pasi është thjesht shtim volumi pa asnjë lloj vlerë tek vetë tatimet.
“Mendoj që duhet aplikuar TVSH zero dhe njëkohësisht kostoja duhet ndarë apo duhet marrë përsipër nga pushteti vendor, nga vet administrate tatimore dhe nga qeveria. Qoftë sa i takon fluksit të raportimeve, do të ishte normale që raportimet të bëhen ndoshta njëherë në muaj, ashtu si dhe raportimet online nuk do të ishën të domosdoshëm për këtë lloj kategori, është thjesht shtim volumi pa asnjëllojë vlere te tatimet, dhe njëkohësisht mundet që kasat regjistruese të jenë pronësi e qeverisë, të cilat mund ti jepen në përdorim biznesit kundrejt një dokumentacioni, apo mund të përdoren edhe nga më shumë se një biznes”.
Evazioni për të cilin është e shqetësuar me të drejtë qeveria, nënvizon Preçi, nuk bëhet nga ky biznes por nga biznesi i madh i mallrave të forta, si kafe, cigare, etj. Ai është për heqjen dorë nga disa klasifikime, sepse kjo sipas tij, ka nxitur biznesin të copëtohet, ka shtuar fiktivish numrin e bizneseve duke mos rritur fare të ardhurat në buxhet.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.