“Tym i bardhë” nga Athina – Arrihet marrëveshja me kreditorët, me një kusht

“Doli tym i bardhë”-deklaroi kreu i financave greke Euclid Tsakalotos, të Martën në mëngjes, duke dhënë kështu lajmin që pritej prej muajsh. Greqia më në fund ka arritur marrëveshjen e shumëpritur me kreditorët ndërkombëtarë.
Kjo do të thotë se, në mbledhjen e ardhshme të eurogrupit, më 22 maj, do të zhbllokohen edhe këstet e radhës së huasë për Greqinë, por sërish me një kusht.
Qeveria dhe parlamenti duhet të kalojnë disa masa dhe ligje të reja, që do të kenë për synimin liberalizimin e tregut energjetik, përpara takimit të 22 majit.
Marrëveshja mes qeverisë greke dhe kreditorëve u arrit gjatë orëve të natës, pas një bisedimi të gjatë pa ndalim. Ajo që u dakordësua gjatë këtyre bisedimeve duhet të marrë edhe miratimin e parlamentit helen.
Masat e reja shtrënguese, veç atyre që tashmë dihen, përfshijnë edhe uljen e kufirit të të ardhurave të taksueshme, nga 8636 euro aktualisht, në 6000 euro.
Tashmë, “topi” kalon në fushën e kreditorëve, këta të fundit duhet të përcaktojnë objektivat e suficitit primar, si dhe të hartojnë një plan të besueshëm për lehtësimin e borxhit helen, me qëllimin e vetëm për të përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar në këtë marrëveshje, që është e treta për Greqinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.