U premtonte të huajve pasaportë shqiptare për 20 000 Euro – Policia vë në pranga shtetasin arab
Policia ka vënë në pranga një shtetas arab i cili në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë shqiptar u premtonin shtetasve me kombësi egjiptiane se mund t’ju siguronin pasaporta të shtetit shqiptar në këmbim të shumave që varionin mbi 20 000 euro.
Nga operacioni policor, krahas arrestimit të shtetasit me iniciale T.M lindur ne Emiratet e Bashkuara Arabe dhe banues në Tiranë i cili kamuflohej si investitor dhe partner për investime në Shqipëri, është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetas E.M, 40 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim shtetësja M.M 49 vjeç.
Sipas Policisë, nga hetimet e kryera ka rezultuar dhe është provuar se shtetasit e lartpërmendur ndërmjet një zyre binjakëzimi midis Emirateve të Bashkuara dhe Tiranës, ju kanë marrë disa shtetasve shuma të konsiderueshme në euro duke ju premtuar leje qëndrimi dhe pasaporta shqiptare (por që nuk kanë bërë të mundur dot as aplikimin për dokument të tillë si pasaporta dhe leja e qëndrimit për shkak të rregullave dhe dokumentave strikte që kërkoheshin nga zyra e kufirit dhe migracionit).
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
- Zyra në Tiranë e shtetasit të arrestuar arab;
- Tre njësi kompjuterash të ndryshëm;
- Një aparat celular;
- Dokumenta të ndryshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.