UBS, fitim neto 1.4 mld USD – Tremujori i dytë, më i miri që nga vitit 2010
Banka zvicerane UBS publikoi një fitim neto prej 1.4 miliardë dollarë në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me fitimin prej 1.29 miliardë dollarë, që raportoi në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.
Huadhënësi zviceran njoftoi se ky ishte rezultati më i mirë tremujor që nga viti 2010. Rritja e fitimit vjen pavarësisht rënies së performancës si në divizionin e investimeve ashtu edhe në menaxhimin e pasurive. “Gjatë tremujorit të dytë kemi parë një normalizim të ambientit dhe nëse shohim rezultatet, padyshim që diversifikimi i portofolit na shpërbleu”, deklaroi Sergio Ermotti, shefi ekzekutiv i UBS.
Megjithatë, banka shënoi një rënie globale të biznesit të manaxhimit të pasurive, krahasuar me një vit më parë. UBS raportoi një fitim operativ prej 886 milionë dollarë, krahasuar me 1 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit 2018. Edhe fitimet në divizionin e investimeve ranë krahasuar me një vit më parë, duke regjistruar një fitim operativ prej 440 milionë dollarë. Duke folur për CNBC, Ermotti tha se pritshmëritë që Rezerva Federale të ulë normat e interesit kanë krijuar presion në tregje.
Analistët parashikojnë se, Rezerva Federale do të ulë normat e interesit në takimin e këtij muaji. Banka qendrore më e madhe në botë nisi një normalizim të politikave në vitin 2015, por të dhënat e fundit kanë treguar një përkeqësim të kushteve ekonomike në SHBA. Edhe në Europë, panorama është e ngjashme. Banka Qendrore Europiane pritet të lehtësojë më tej politikat monetare, kryesisht duke ofruar stimuj.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.