Udhëtime për t’u vaksinuar jashtë vendit / Agjencitë në Indonezi ofrojnë paketa për vaksinim në SHBA
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të zhvilluara kanë pasur fushata të shpejta të vaksinimit dhe banorët e pasur në vendet në zhvillim, si Indonezia, Tajlanada dhe Meksika, janë përgatitur të vaksinohen jashtë vendit. Pasi dështoi të sigurojë një vaksinë në vendin e tij, indoneziani Muhamed Putra, prenotoi një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, për të marrë vaksinën atje, që është edhe udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që prej nisjes së pandemisë. “Nuk e kam marrë dot vaksinën këtu dhe do bëjë një udhëtim për ta marrë në SHBA”- tha 25-vjeçari. Vetëm 5% apo 9.9 milionë njerëz në Indonezi janë vaksinuar plotësisht, sipas të dhënave të qeverisë, ndërkohë që autoritetet po hasin vështirësi për të arritur objektivat e imunizimit. Rritja e rasteve në vendin me popullsinë e katërt më të madhe në botë, ka bërë që vaksinat të kanalizohen tek zonat e kuqe të infeksionit. Një agjenci e udhëtimeve, ATS Vacations, ka humbur rreth 75% të biznesit për shkak të pandemisë dhe thekson se “turet e vaksinimit”, janë përfituese si për industrinë edhe për konsumatorët. Mbi 100 njerëz deri më tani kanë prenotuar udhëtime tek agjencia, që pritet të regjistrojë fluturime nga Qershori në nëntor. Kosto e një udhëtimi minimal prej 8 ditësh mund të variojë nga 1,100 dollarë deri në 3,700, në varësi të llojit të grupit. Një nga arsyet e udhëtimeve është edhe shansi për të marrë markën e preferuar të vaksinës. Indonezia ka vaksinuar njerëz kryesisht me dozat e Sinovac dhe të AstraZeneca
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.