Udhëtimi me vizë drejt SHBA, Ambasada informacion për rregullat që duhet të ndiqni. Procedurat për bashkimin familjar dhe kur pasaporta e vjetër ka skaduar

Ambasada Amerikane jep informacion për ata persona që janë duke u përgatitur për vizë turistike drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Ambasada ka kërkuar nga qytetarët që të përgjigjen ndershmërisht dhe qartazi në intervistën për vizë turistike, ndërkohë që duhet të shmangin dërgimin e dokumenteve të panevojshme. Më tej, Ambasada Amerikane në këtë postim shkruan se oficeri konsullor do t’i japë menjëherë një përgjigje qytetarëve.
“Ndoshta po mendoni për intervistën tuaj të afërt për vizë turistike? Shumë kanë komentuar që intervista e tyre për vizë ishte shumë e shkurtër – ndonjëherë vetëm disa pyetje. Në fakt, kjo është mëse normale. Thjesht përgjigjuni pyetjeve ndershmërisht dhe qartazi dhe mos sillni dokumente të panevojshme. Oficeri konsullor do t’ju japë menjëherë një përgjigje”, shkruan Ambasada.
Pyetjes se nëse je në proces të një peticion emigrimi, a mund të kualifikohesh për vizë, Ambasada përgjigjet: “Kur je në proces për peticion emigrimi nuk ka bazë për një refuzim automatik të një vize jo-emigruese. Sigurohuni të përmendni që keni në proces një peticion emigrimi në formularin e aplikimit. Kini parasysh se për një vizë turistike barra e provës bie mbi aplikantin ose aplikanten që të provojë se ai ose ajo ka lidhje madhore me vendin e tij ose të saj”.
Pyetjes se përse data e kategorisë F4 ka katër muaj që nuk ndryshon, Ambasada përgjigjet:
“Siç edhe ju mund ta dini, Seksioni Konsullor nuk ka rol në ecurinë e datave prioritare. Kjo ecuri përcaktohet nga një formulë komplekse, bazuar në vizat imigruese të lëshuara gjatë vitit fiskal. Byroja konsullore duhet të lëshojë numrin e përcaktuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara për çdo vit fiskal për secilën kategori vizash. Nëse p.sh. ky numër i lëshuar ka qenë i ulët deri në 6-mujorin e parë të vitit fiskal, Byroja Konsullore në Shtetet e Bashkuara mund të përparojë datat prioritare, në mënyrë që të lëshohen më shumë viza që të arrihet numri i përcaktuar nga Kongresi. Në mënyrë të ngjashme, nëse janë lëshuar më shumë numra vizash dhe po arrihet limiti i përcaktuar nga Kongresi, mund të ndodhë që të ngadalësohet ose të ketë kthim prapa të datave prioritare duke rezultuar në kohë më të gjatë pritjeje”.
Pasaporta ime e vjetër ka skaduar. A mund të udhëtoj me pasaportën e re dhe me vizën që kam te pasaporta e vjetër?
“Po, ju mund të udhëtoni me të dyja pasaportat: me pasaportën e vjetër që ka vizë të vlefshme dhe me pasaportën e re, me kushtin që viza të jetë e padëmtuar, dhe po udhëtoni për të njëjtin qëllim për të cilin ju është lëshuar viza, dhe emri/mbiemri juaj të mos ketë ndryshuar. Zyrtari i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit do vulosë pasaportën tuaj me “VIOPP” (viza tek pasaporta tjetër). Mos u përpiqni të hiqni vizën nga pasaporta e vjetër dhe ta vendosni tek e reja, viza nuk do të jetë më e vlefshme”.
Pyetjes se a mund të nisë procesi për bashkim familjar motër-vëlla kur ke Green Card dhe si duhet të jetë gjendja civile, Ambasada komenton përmes këtij postimi se bashkimi familjar motër-vëlla hyn tek kategoria F4, por nuk mund të kryhet kur motra ka Green Card, por vetëm kur bëhet nënshtetase amerikane.
“Nuk ka rëndësi gjendja civile e juaj në këtë kategori. Peticionet nё pritje, veçanërisht kategoritë numerikisht tё kufizuara, mund tё qëndrojnë nё Qendrën Kombëtare tё Vizave (NVC) për shumë vite, kategoria F4 pёr shembull ёshtё njё nga kategoritë e preferencës bazuar nё familje. Ekzistojnë kufizime ligjore për numrin e vizave tё kategorive me preferencë bazuar në familje që mund tё lëshohen çdo vit. Në këto kategori, listat e pritjes përcaktohen duke u bazuar në datën prioritare, e cila është data kur ёshtё dorëzuar peticioni juaj.
Kurse datat Cutoff, tё vendosura nga Zyra e Vizave, përcaktojnë se kur peticionit tuaj i vjen radha e shqyrtimit për vizë. Peticioni juaj mund tё bёhet aktual, pra gati për proces tё mëtejshëm, vetëm kur data Cutoff nё kategorinë e vizës suaj tё ketë përparuar nё datёn tuaj prioritare. As Ambasada, as Qendra Kombëtare e Vizave nuk mund tё parashikojnë se kur do tё mund tё bёhet aktual rasti juaj. Ju duhet tё monitoroni lëvizjen e datës Cutoff nё publikimet e Zyrës sё Vizave për tё mësuar se kur rasti juaj do tё jetë aktual. Pёr informacion rreth datёs Cutoff, lutemi tё kontaktoni me Zyrёn e Informacionit pёr Vizat tё Departamentit tё Shtetit tё SHBA-sё nё numrin e telefonit 202-663-1541, ose tё vizitoni Buletinin e Vizave (nё Anglisht), i publikuar nga Byroja e Çështjeve Konsullore. Kategoria juaj është F4, dhe për muajin qershor 2017 janë aktuale çështjet e dorëzuara përpara datës 8 maj 2004. Data që peticioneri në SHBA ka dorëzuar peticionin tek USCIS quhet data juaj prioritare. Ju duhet të ndiqni buletinin e vizave mbi ndryshimin e datave aktuale për kategorinë tuaj. Lexoni mbi vizat që përfitohen nga familja: https://al.usembassy.gov/…/family-based-immigration-sq/. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/en/law-and-policy/bulletin.html. Shikoni datën në kolonën “All Chargeability Areas Except Those Listed” për kategorinë e vizës suaj. Të gjitha peticionet e dorëzuara përpara asaj date janë aktuale për t’u shqyrtuar.
Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) fillon procedurën e mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm disa muaj përpara se çështja juaj të jetë aktuale, në mënyrë që ju të mos humbisni kohë me këtë procedurë dhe çështja juaj të jetë gati sapo ajo të jetë aktuale.
Për më shumë, lexoni pyetje të shtruara shpesh këtu”, shkruan Ambasada Amerikane.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.