Ujë për bregdetin e jugut! Tender 166 milionë lekë për Palasën dhe Dhërmiun
Palasa, Dhërmiu dhe zona e Gjilekut me zonën e Kondraqës do të kenë përmirësim të sistemit të furnizimit me ujë. Kjo në fakt është faza e dytë e projektit, për të cilin Bashkia Himarë ka shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik tenderin me fond 166.6 milionë lekë.
Sipas dokumentacionit bashkangjitur tenderit, projekti konsiston në përmirësim të linjave të transmetimit apo linja të reja, rikonstruksion të rezervuarëve ekzistues apo rezervuarëve të rinj. Ndërkaq, për furnizimin e Palasës, projekti parashikon sistem të ri për furnizimin me ujë.
“Sistemi aktual i furnizimit me ujë nuk është i organizuar dhe nuk plotëson kërkesat e standardeve Shqiptare, kushteve teknike të projektimit për rrjetin e jashtëm të Furnizimit me ujë, si dhe kushteve teknike të zbatimit të rrjetit të jashtëm të furnizimit me ujë” specifikohet më tej.
Tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri më 2 dhjetor, me një afat ekzekutimi 10 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.