Uji në Durrës, 70 lekë/m3 – Bashkia “rëndon” faturën për klientët e rregullt
Nga një shtatori qytetarët e Durrësit do të paguajnë më shumë për ujin e pijshëm. Në një kohë kur kryeqyteti “zien” nga debatet për rritjen ose jo të çmimit të ujit të pijshëm Enti Rregullator i Ujit ka marrë vendimin, që është publikuar në Fletoren Zyrtare, pas propozimit të Bashkisë së Durrësit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
Kështu çmimi i ri për konsumatorin familjar do të jetë 70 lekë/m3 nga 61 lekë/m3 që është aktualisht. Rritje e çmimit të ujit do të ketë edhe për konsumatorët publik dhe ata privat.
Referuar vendimit të Entit Rregullator të Ujit çmimi do të rritet përkatësisht për konsumatorin publik nga 115 lekë në 120 lekë/m3, ndërsa për privatin ky çmim do të jetë 130 lekë nga 125 lekë/m3. Vendimi do të bëj edhe ndryshim të tarifës fikse mujore për klientët e cila ka qenë 100 lekë dhe me vendimin e ri do të jetë 150 lekë /muaj.
Në të njëjtën kohë do të ketë edhe rritje të tarifave sa i përket përpunimit të ujërave të ndotura. Konsumatorët familjarë do të paguajnë 50 lekë/m3 nga 37 lekë që paguanin, ndërsa konsumatorët publik dhe privat do të paguajnë 60 lekë/m3.
Bashkia e Durrësit me rritjen e çmimit ka si objektiv që të ulë humbjet në 68.3%. Nëse i referohemi raportit të performancës për vitin 2016 humbjet e ujësjellësit të Durrësit ishin në vlerën e 71.59%.
Kjo Bashki duket sa ka gjetur rrugën më të lehtë për të rritur të ardhurat e saj duke ju rritur çmimin abonentëve të rregullt dhe jo duke përmirësuar performancën me eliminimin e lidhjeve të paligjshme dhe në “detyrimin” e abonentëve që të paguajnë faturat përkatëse.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.