Uji pa të ardhura – Niveli i humbjeve të ujësjellësve 67%, 33% vidhet
Niveli i humbjeve në rrjetet e ujësjellësve në nivel kombëtar për vitin 2016 është rreth 67%. Të dhënat raportohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas së cilës 35 për qind e humbjeve vijnë për shkaqe teknike, ndërsa 32% janë humbje administrative, që do të thotë se regjistrohen si pasojë e vjedhjeve dhe abuzimit.
Gjithashtu, nga të dhënat rezulton se niveli i ujit të faturuar nga ndërmarrjet e ujësjellësve është 33%, çka do të thotë se në çdo 3 litra ujë të prodhuar, vetëm 1 arrin të faturohet. Ndërkaq, ndryshe paraqitet situata me nivelin e arkëtimeve, pasi referuar relacionit të projekt-buxhetit të vitit 2018 rezulton se ai është në masën 91%. 3 ujësjellësit që regjistrojnë humbjet më të mëdha janë Vlora, Berati dhe Selenica, me 80-90%, ndërsa më mirë renditet Bilishti, Himara dhe Belshi, me 20-27%.
Edhe ujësjellës Kanalizime Tiranë regjistron një nivel të lartë humbjesh, me 67.77% ujë pa të ardhura. Pas ditë më parë qeveria lancoi nisjen e reformës së ujit, e cila do të fokusohet edhe te ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme.
Në këtë kuadër, abonentëve iu është lënë 90 ditë afat për të vetërregulluar situatën e tyre, pasi në të kundërt do të përballen me penalitete. Faza e parë e aksionit do të jetë pikërisht vetëreflektimi, ndërsa më pas kontrollet do të fillojnë nga bizneset e më pas te abonetët familjarë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.