Ukraina nis eksportet e drithrave me tren – Mbërrin dërgesa e parë në Europë. Portet qëndrojnë të mbyllura prej luftës

Tregtarët në Ukrainë kanë eksportuar furnizimet e para të misrit drejt Europës me tren, ndërkohë që portet e vendit qëndrojnë të mbyllura si pasojë e sulmit rus, sipas firmës së konsulencës mbi bujqësinë, APK-Inform. Ukraina është një kultivues dhe eksportues gjigant në nivel botëror i drithërave dhe thuajse të gjithë eksportet janë dërguar historikisht përmes porteve të Detit të Zi.
Eksportet mujore të drithërave kalonin 5 milionë ton përpara luftës. Autoritetet tregtare dhe të bujqësisë kanë thënë se Ukraina, që ka ende sasi të mëdha të drithërave në magazina, mund të nisë eksportin përmes trenave, në kufirin perëndimor.
“Pako e parë e disa mijëra ton të misrit janë dërguar përmes kufirit tokësor në perëndim të Ukrainës”- deklaroi APK-Inform, duke shtuar se vështirësitë në logjistikë vazhdojnë. Firma e konsulencës theksoi se çmimi DAP (Delivered At Place) i misrit për blerësit në Poloni dhe shtetet e Baltikut, ishte në 250 -265 dollarë për ton dhe 275 dollarë për ton për Sllovakinë.
Autoritetet e transportit në Ukrainë kanë bërë të ditur se deri në 600,000 ton të drithërave në muaj mund të eksportohen me trena nga Ukraina në Europë. Analistët theksuan javën e kaluar se eksportet e drithërave të Ukrainës mund të arrijnë në një total prej 44 mln ton në sezonin që përfundon më Qershor 2022.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.