Ulen fondet për transportin ajror – Planet afatmesme të qeverisë / Shpenzimet buxhetore do të jenë 84% më pak
Shpenzimet buxhetore për programin e transportit ajror parashikohet të pësojnë një rënie të ndjeshme për periudhën 2022-2024. Sipas programit buxhetor afatmesëm, për vitin 2021 fondet e buxhetit për financimin e këtij programi ishin 140.3 mln lekë. Ndërkohë që, për 3 vitet e ardhshme parashikohet një ulje e financimit në këtë drejtim. Më konkretisht, për vitin 2022, 2023 dhe 2024 shpenzimet buxhetore për transportin ajror parashikohet të jenë rreth 23 mln lekë apo 84% më pak sesa buxheti i vitit 2021.
Sipas treguesve të performancës, në programin buxhetor afatmesësm për transportin ajror parashikohet rritja e standardeve të performancës së Organit Kombëtar të incidenteve/aksidenteve ajrore nëpërmjet investimeve për forcimin e kapaciteteve. Gjithashtu, numri i investigimeve të kryera për vitin 2023 parashikohet të arrijë në 5, nga 4 investigime që ishte në 2020-ën, ndërsa do të kryehet zbatimi i standardeve të njehsuara të sigurisë dhe aprrezikshmërisë në tarnsportin ajror. Fokusimi te incidentet apo aksidentet në trajsportin ajror, sipas dokumentit, vjen edhe në kuadër të ndërtimit të infrastrukturave të reja aeroportuale.
Këtu përfshihet aeroporti i Kukësit, që tashmë ka nisur operimet. Gjithashtu, tashmë qeveria ka nënshkruar kontratën koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ndërkohë që ajo duhet të marrë miratimin në parlament përpara se të hyjë në fuqi. Aeroproti i katërt që parashikohet të ndërtohet është ai i Sarandës, që gjithsesi është ende në fazë tenderimi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.