Ulen interesat e borxhit – Favorizojnë paranë e lirë në ekonomi
Interesat e borxhit qeveritar pësuan sërish rënie në ankandet e kësaj jave, duke treguar edhe njëherë se tregu i brendshëm financiar ngelet likuid dhe kërkesa për të blerë bono dhe obligacione e lartë. Në ankandin e të martës, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar 2.23%. Interesat shënuan rënie për të shtatin ankand radhazi dhe që nga fillimi i vitit ato kanë rënë me më shumë se gjysmë pikë përqindje.
Një tendencë të ngjashme po ndjekin edhe obligacionet dyvjeçare. Në ankandin e të hënës, interesi zbriti në 2.9%, në rënie për të pestin muaj radhazi. Rënia e interesave shpjegohet qartë me raportin mes kërkesës dhe ofertës në tregun e borxhit të qeverisë. Në ankandin e të martës, kërkesat arritën vlerën e 11.1 miliardë lekëve, ndërsa shuma e shpallur për financim nga qeveria ishte 9.7 miliardë lekë. Bankat, që janë financuesi kryesor i borxhit të brendshëm qeveritar, duket se po investojnë më shumë në instrumentet e borxhit qeveritar.
Kjo ndodh sepse tregu ka likuiditete të bollshëm, por edhe sepse kreditimi i sektorit privat ende po rritet me ritme të ngadaltë. Në muajt e parë të këtij viti edhe likuiditeti i injektuar në treg nga Banka e Shqipërisë ka qenë në vlera të larta. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore, në fund të marsit të këtij viti vlera e huasë për sektorin bankar, përmes marrëveshjeve të riblerjes, arriti në 42 miliardë lekë, afro 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e interesave të bonove të thesarit ndihmon vazhdimësinë e epokës së parasë së lirë, duke përmbushur qëllimin e politikës monetare stimuluese të Bankës së Shqipërisë. Interesat e ulëta të titujve qeveritarë favorizojnë kreditimin e lirë në monedhën vendase, duke nxitur konsumin dhe investimet e reja në ekonomi.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.