Ulen interesat-Obligacionet dyvjeçare, rekord të ri në 1.45%!
Normat e interesit në tregun primar të letrave të borxhit qeveritar ranë përsëri këtë javë. Kuponi për obligacionet me maturim dyvjeçar zbriti në 1.45%, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me ankandin e muajit të kaluar, kuponi zbriti me gati gjysmë pikë përqindje.
Ulja e normave të interesit nuk po ndalet dhe arsyeja kryesore duket të jetë likuiditeti i lirë në treg. Në ankandin e fundit, vlera totale e kërkesave për të blerë obligacione arriti në 5.2 miliardë lekë, ndërsa shuma e shpallur për shitje nga Ministria e Financave ishte 4 miliardë lekë.
Sidomos duke filluar nga vjeshta e vitit të kaluar, kur qeveria emetoi eurobondin, interesat në tregun e brendshëm nisën një cikël rënieje të fortë. Eurobondi rifinancoi një pjesë të borxhit të brendshëm, ndërsa huamarrja e re u reduktua. Kjo krijoi një tepricë likuiditeti në treg.
Në mungesë të alternativave të tjera, konkurrenca mes investitorëve për të blerë bono dhe obligacione u forcua, duke sjellë në mënyrë të pashmangshme uljen e interesave. Edhe sinjalet e politikës monetare për momentin po mbështesin ruajtjen e interesave të ulëta.
Në deklaratën e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë parashikonte një shtyrje të normalizimit monetar, sepse rreziqet për rritjen e çmimeve dhe të ekonomisë janë në rritje. Duke mos pritur një rritje të shpejtë të normës bazë në horizont, tregu është më i prirur të ruajë norma të ulëta interesi. Në këto kushte, çmimi i parasë në ekonomi do të vazhdojë të jetë i ulët, duke favorizuar konsumin dhe investimet e sektorit privat.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.