Ulen pritshmëritë për taksën e pasurisë – Parashikohet të mblidhen 13 milionë euro më pak

Qeveria ka ulur ndjeshëm pritshmëritë për të ardhurat që mblidhen nga taksa e pronës. Duke qenë se vitit i kaluar u mbyll me rreth 14 milionë euro më pak se plani, për vitin 2020 plani i të ardhurave është ulur me 13 milionë euro apo 1.6 miliardë lekë në krahasim me 2019-ën. Sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave plani për vitin e kaluar ishte 6.9 miliardë lekë dhe u mblodhën 5.2 miliardë lekë, ndërsa për këtë vit planifikimi është 5.3 miliardë lekë.
Ky reflektim nga ana e qeverisë i pasqyruar në buxhet, përforcon faktin se hyrja në fuqi e metodologjisë së re për vjeljen e taksë së pronës në Prill të 2018-ës, ka qenë e nxituar, pa u ngritur infrastruktura e duhur dhe ç’është më kryesorja, pa u ngritur Kadastra Fiskale, gjë që i bën të pafuqishme 61 bashkitë në vend që të rrisin të ardhurat dhe të taksojnë banesat apo njësitë tregtare në bazë të vlerës së tregut. Ndërsa një tjetër faktor, mund të lidhet edhe me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme, që kanë sjellë dhe uljen e “presionit” të pagesave kundrejt qytetarëve. Në muajin e parë të këtij viti, vendorët kanë mbledhur nga taksa e pasurisë 265 milionë lekë nga 221 milionë që u mblodhën në Janar 2018.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.