Ulen projeksionet për Eurozonën, KE: Ekonomia do të ngadalësohet këtë vit, shtohen rreziqet
Komisioni Europian projekton se ekonomia e Eurozonës do të ngadalësohet këtë vit dhe tjetrin, nga performanca e fortë e vitit 2017, duke theksuar nevojën e zbatimit të shpejtë të reformave në valutën e përbashkët, për sa kohë rritja ekonomike është ende e fortë.
Sipas Komisionit, rritja ekonomike në 19 vendet që ndajnë euron do të ngadalësohet në 2.3% këtë vit dhe 2% në vitin e ardhshëm, nga 2.4% që ishte rezultati i 2017-ës.
Ndër rreziqet, Komisioni listoi luhatjet në tregjet financiarë, stimujt fiskal pro-ciklikë në SHBA që mund të sjellin një rritje më të shpejtë të normave të interesit nga Rezerva Federale si dhe përshpejtimin e proteksionizmit tregtar.
“Duhet të sigurohemi se do të kemi kapacitetin për të përdorur politikat makroekonomike në të ardhmen, e për rrjedhojë duhet të vazhdojnë reduktimin e borxhit. Duhet gjithashtu një plan ambicioz për të përfunduar Unionin Ekonomik dhe Monetar”, deklaroi kreu i departamentit të ekonomisë të Komisionit, Marco Buti.
Sipas tij, rreziqet kanë shtuar rëndësinë e përshpejtimit të reformave të Eurozonës në takimin e muajit Qershor.
Liderët pritet të bien dakord në Qershor mbi prezantimin e një parandaluesi për fondin e rezolutës së bankave të Eurozonës dhe të vendosin për kthimin e fondit të shpëtimit të Eurozonës në një Fond Monetar Europian me fuqi më të mëdha, përfshirë ristrukturimin e borxheve sovrane dhe monitorim të rregullt të ekonomive.
Komisioni projekton se inflacioni në Eurozonë do të rritet në 1.6% në 2019-ën nga 1.5% këtë vit, poshtë objektivit prej rreth 2% të Bankës Qendrore Europiane.
Deficiti i agreguar i qeverive të Eurozonës pritet të tkurret mëtej në 0.6% të PBB në vitin 2019, nga 0.7% që shihet këtë vit dhe 2018-a pritet të jetë viti i parë që asnjë vend nuk thyen rregullat në mbi 3%. Ndërkohë, borxhi pritet të bie në 86.5% këtë vit dhe në 84.1% në 2019-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.