Ulen tarifat përmbarimore! Udhëzimi i shumëdebatuar i vitit 2017 është anulluar.

Tarifat e shërbimit përmbarimor privat janë ulur. Pas një beteje që zgjati më shumë se një vit, ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë kanë rishikuar udhëzimin e shumëdebatuar të vitit 2017, që rriti në përmasa marramendëse tarifat e shërbimit. Udhëzimi në fjalë u kundërshtua ashpër sidomos nga Shoqata Shqiptare e Bankave, e mbështetur edhe nga Banka e Shqipërisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Sipas tyre, rritja e tarifave ishte e pajustifikuar dhe e pambështetur në argumente ekonomikë, që e cilësuan si pengesë në procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe në uljen e mëtejshme të kredive të këqija. Bankat e bojkotuan për më shumë se një vit shërbimin e përmbaruesve private, duke kërkuar ndryshimin e udhëzimit.
Filozofia e ndryshimeve nuk është korrigjuar
Në varësi të shumës së pasurisë që do të ekzekutohet, udhëzimi i ri i ul tarifat fikse të shërbimit përmbarimor nga dy deri në katër herë. Kështu, me udhëzimin e vjetër, tarifat përmbarimore fikse nisnin nga 10% deri në 3%, me rritjen e shumës së borxhit për t’u mbledhur. Me udhëzimin e ri, tarifat fillojnë nga 5.5%, deri në 1.1%.
Megjithatë, beteja ligjore është ende e hapur, sepse tani janë përmbaruesit që i kundërshtojnë tarifat e reja. Ata e kanë çuar çështjen në Gjykatën Administrative, që ka pezulluar hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri.
Sipas Shoqatës së Bankave, edhe me udhëzimin e ri tarifat janë relativisht të larta dhe të pakrahasueshme me praktikat më të mira ndërkombëtare, sidomos për pjesën e tarifave fikse. Ajo që nuk është realizuar plotësisht, edhe pas udhëzimit të ndryshuar, është qëllimi i diskutimit për prezantimin e tarifës së suksesit. Tarifa e suksesit ishte konkluzion i grupit të punës për uljen e huave me probleme. Objektivi ishte që në tarifat, sipas udhëzimit të vitit 2009, të gjendej hapësira për vendosjes e tarifës së suksesit. Me pak fjalë, objektivi ishte që e gjithë tarifa të mos ndryshonte thellësisht, debitori të paguante më pak dhe kreditori të paguante përmbaruesin për suksesin e çështjes, kundrejt objektivit të vendosur.
Me udhëzimin e vitit 2017, qëllimi i ndryshimeve të kërkuara nga grupi i punës për uljen e kredive me probleme u shtrembërua dhe në përfundim të tij, proces do të rezultonte me një pagesë më të lartë në favor të përmbaruesit. Megjithatë, Shoqata e Bankave pranon se udhëzimi i ri sjell përmirësime të mëdha krahasuar me atë të vitit 2017. Bankat kërkojnë një reformë tërësore në fushën e përmbarimit, për të sjellë eksperiencat më të mira dhe standardet më të përparuara.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.