Ulet me 35% borxhi tatimor – Detyrimet e bizneseve ndaj administratës tatimore janë 95 mld lekë
Komuniteti i biznesit është ankuar gjithnjë për marrëdhënien me administratën fiskale, kryesisht për gjobat apo dhe mosrimbursimin e TVSH në kohë . Por duke parë të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vihet re , se vlera e borxhit që biznesi i ka administratës tatimore ne vite ka qenë e lartë.
Në fund të vitit të kaluar rezulton se vlera e detyrimeve të papaguara nga sipërmarrja për tatimet arrin në afro 95 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 35% në krahasim me fillimin e vitit 2017. Sipas burimeve nga drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në janar të 2017 në “llogaritë e tatimeve” rezultonin si detyrime të papaguara 147 miliardë lekë.
Për të ulur nivelin e detyrimeve të prapambetura që biznesi i ka administratës tatimore, tashmë është hartuar një strategji ku sipërmarrja mund të bëjë një kontratë-marrëveshjeje me tatimet, për të paguar me këste këto borxhe. Kjo do të mundësojë edhe lehtësimin e bizneseve, si dhe do të përmirësojë dhe të ardhurat nga tatimet në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë që gjatë vitit të kaluar u aplikua dhe ligji i faljes, çka mundësoi që shumë detyrime të akumuluara në vite nga sipërmarrja u fshinë nga sistemi tatimor.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.