Ulet çmimi i biletave ajrore?! – Liberalizohet tregu i shërbimeve të tokës, ishin ekskluziviteti i Rinasit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar një udhëzim që rregullon tregun e ofrimit të shërbimeve të tokës në aeroporte, çka pritet të sjellë uljen e çmimit të biletave ajrore. Shërbimet e tokës janë shërbime, të cilat ofrojnë aeroportet kundrejt kompanive ajrore, ku bëjnë pjesë: përpunimi i bagazheve, përpunimi në vendqëndrimin e avionëve; furnizimi me karburant e vajra lubrifikante, përpunimi i mallrave dhe postës etj.
Ndërkohë që, më herët kreu i Aviacionit Civil, Krislen Keri ka deklaruar për SCAN se ofrimi i këtyre shërbimeve është ekskluzivitet i koncesionarit të Aeroportit të Rinasit, duke shtuar se aktualisht jemi në kushte monopoli.
Sipas Kerit shërbimet e tokës përbëjnë dhe komponentin më të rëndësishëm që ndikon në çmimin e biletës, duke sjellë kosto të pajustifikueshme kundrejt shërbimit të ofruar. Ndërkohë që, me miratimin e këtij udhëzimi i hapet rruga hyrjes së lirë në treg i kompanive të interesuara për të ofruar këto shërbime, ndërkohë që përzgjedhja e fituesve do të bëhet përmes garave tenderuese. Ndërkaq, një tjetër element që do të ndikonte në uljen e çmimit të biletave është heqja e monopolit të fluturimeve nga aeroporti “Nënë Tereza”.
Në dokumente, ekskluziviteti është hequr në vitin 2016, por 2 vjet e gjysmë pas nënshkrimit të kontratës së re koncesionare, gjithçka është ende në letër. Pavarësisht se ka patur deklarata për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë apo vënien në punë të aeroportit të Kukësit, ende sot nuk kemi hapa konkretë në këtë drejtim.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.