Ulet deficiti – Eksportet rriten me 10.4% për gushtin
Ekonomia shqiptare ka ulur deficitin tregtar gjatë muajit gusht, falë ecurisë pozitive të eksporteve dhe rënies së njëkohshme të importeve. Sipas Institutit të Statistikave, deficiti tregtar gjatë muajit gusht u ul me 10.3% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Për tetë muajt e parë të vitit, bilanci i tregtisë së mallrave ishte negativ në vlerën e 211 miliardë lekëve, 5.5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat e gushtit rikthejnë pjesërisht optimizmin për një kontribut më të lartë të eksporteve në rritjen ekonomike gjatë këtij viti.
Në fakt, pritshmëritë në këtë drejtim për gjysmën e dytë të vitit nuk janë shumë pozitive. Banka e Shqipërisë pret që ndikimi i eksporteve neto në rritjen ekonomike të jetë më i ulët, për shkak të rritjes së pritshme të importeve dhe deficitit, si rezultat i përmirësimit të kërkesës së brendshme. Për gushtin, importet u ulën me 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa për gjithë tetëmujorin, Shqipëria importoi mallra në vlerën e 416 miliardë lekëve, në rritje me 4% me bazë vjetore. Importet rezultojnë në rritje në të gjithë grupmallrat, me ritmet më të larta në grupin e makinerive dhe pajisjeve, si edhe të karburanteve.
Eksportet shënuan përsëri rritje për gushtin, me 10.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Për tetëmujorin, vlera totale e eksporteve arriti në 205 miliardë lekë, në rritje vjetore me 16.1%. Eksportet udhëhiqen bindshëm nga sektori i fasoneve. Grupi “tekstile dhe këpucë” në tetë muaj eksportoi mallra për vlerën e 82 miliardë lekëve, duke sjellë 40% të të ardhurave totale nga eksportet në ekonominë shqiptare. Rritja e eksporteve këtë vit është mbështetur ndjeshëm edhe nga prodhimi i lartë i energjisë elektrike, sidomos në gjysmën e parë të vitit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.