Ulet numri i bizneseve – Rritja, vetëm nga formalizimi i fermerëve
Numri i bizneseve private jo-bujqësore në Shqipëri është në rënie prej dy vitesh radhazi. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se vitin e kaluar më Shqipëri vepronin 162 mijë biznese, rreth 1600 më shumë krahasuar me vitin 2016.
Por, duke parë të dhënat sipas sektorëve, duket qartë se rritja ka ardhur nga procesi i formalizimit të fermerëve.
Numri i fermerëve të regjistruar si biznese arriti në afro 36 mijë vitin e kaluar, rreth 5 mijë më shumë krahasuar me vitin 2016 dhe afro 17 mijë më shumë krahasuar me vitin 2015. Procesi i formalizimit të fermerëve po jep disa rezultate, falë vendosjes së regjistrimit si kusht për aplikimin në skemat e subvencioneve.
Gjithashtu, marrja e numrit të identifikimit të subjektit mund të lidhet edhe me nevojën për të shitur dhe faturuar prodhimin në pikat e grumbullimit. Fakti që fermerët janë të përjashtuar nga pagesa e tatim-fitimit dhe tatimit mbi vlerën e shtuar e ka bërë më të lehtë këtë proces gradual të formalizimit të tyre.
Nga ana tjetër, shumica e sektorëve të tjerë ekonomikë kanë pësuar tkurrje të numrit të bizneseve, duke filluar nga industria, ndërtimi, tregtia dhe degët e tjera të shërbimeve. Po të përjashtojmë fermerët, numri i bizneseve aktive vitin e kaluar ishte rreth 126 mijë, tre mijë më pak krahasuar me vitin 2016 dhe shtatë mijë më pak krahasuar me vitin 2015.
Në tregti numri i bizneseve është pakësuar me pesë mijë në harkun e dy viteve të fundit. Në ndërtim, për vitin 2017 regjistrohen rreth 500 biznese më pak, ndërsa në industri rreth 700 biznese më pak krahasuar me vitin 2015.
Jashtë sektorit bujqësor, duket se trysnia në rritje për formalizimin e ekonomisë mund të ketë ndikuar në uljen e numrit të bizneseve aktive. Shumë biznese që arrinin të mbijetonin në informalitet të pjesshëm kanë vendosur të mbyllin aktivitetin.
Nga ana tjetër, përtëritja ekonomike ngelet ende e brishtë dhe jo plotësisht e prekshme, sidomos për sipërmarrjet e vogla familjare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.