Ulet papunësia në Maqedoni – Gruevski: 170 mijë vende pune nga qeverisja jonë

Papunësia në Maqedoni është ulur me 0.3% në tremujorin e katërt të 2016 duke mbërritur në shifrat 23.1%. Ulja e papunësisë vjen në një moment kompleks për ekonominë, nën kushtet e një krize të thellë politike.
Sipas Institutit të Statistikave të Maqedonisë, gjatë vitit 2016 janë krijuar rreth 15 mijë vende të reja pune, nga të cilat kanë përfituar më së shumti grupmosha 25-49 vjeç.
Manifaktura, bujqësia dhe shitjet janë sektorët që punësojnë më shumë njerëz, në total mbi 50 për qind të të punësuarve.
Rezultatin pozitiv e ka komentuar në Facebook edhe kryeministri në detyrë i Maqedonisë Nikola Gruevski, duke thënë se nëse nuk do të kishte qenë kriza politike, shifrat do të ishin edhe më pozitive.
“E kemi ulur papunësinë me mbi 14%. Në vitin 2005 ajo shënonte 38% në forcën e punës, që përkthehet në mbi 170 mijë vende të reja pune të krijuara gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE”, shkruan Gruevski.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.