Ulja e evazionit fiskal – Tatimet miratojnë një plan operacional për periudhën Shkurt-Mars
Ekonomia shqiptare është shoqëruar nga një nivel i lartë informaliteti gjatë viteve të fundit. Për të ulur këtë fenomen që në mandatin e parë qeveria ndërmori një aksion ndaj informalitetit i cili u shtri në disa sektorë dhe u nda në disa faza. Një ndër institucionet më të përfshira në këtë aksion është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Tashmë që ky aksion ka hyrë në fazën e tretë të tij Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka miratuar një Plan Operacional për periudhën Shkurt – Mars 2018, ku kryesisht do të zbatohet nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, ky plan është hartuar në funksion të parandalimit, zbulimit dhe ndëshkimit të evazionit fiskal dhe paligjshmërisë në fushën e tatimeve. Zbatimi i tij do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit duke u përqendruar në verifikimet e subjekteve për:
1.Kontrollin për dokumentimin me faturë tatimore të mallrave që përdoren, ruhen, transportohen në tatimpagues të ndryshëm;
2.Marrjen e masave administrative dhe penale për goditjen e evazionit fiskal;
3.Verifikim të subjekteve për lëshimin e kuponit tatimor në vlerën reale të produktit/shërbimit në raport me listën e afishuar të çmimeve;
4.Regjistrimi i subjekteve tregtare në QKB dhe në organin tatimor;
5.Instalimi, përdorimi i pajisjeve fiskale dhe lëshimin e kuponit tatimor;
6.Verifikimin dhe deklarimin e punonjësve në organet tatimore;
7.Të tjera verifikime që mund të dalin të nevojshme gjatë ushtrimit të kontrolleve
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.