Ulja e interesave – Deficiti buxhetor u financua i gjithi jashtë
I gjithë deficiti buxhetor vitin e kaluar u financua me huamarrje të jashtme. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për vitin 2018 buxheti regjistroi një deficit prej 26.5 miliardë lekësh, rreth 18% më të ulët se plani. I gjithë ky deficit u financua nga huamarrja e jashtme dhe kryesisht nga eurobondi i emetuar gjatë tetorit. Madje, eurobondi shërbeu edhe një zëvendësim të huamarrjes ekzistuese të brendshme. Përkundrejt një huamarrjeje të brendshme prej pak më shumë se 19 miliardë lekësh, qeveria shqiptare bëri ripagesa në vlerën e 26 miliardë lekëve.
Bilanci i huamarrjes së brendshme vitin e kaluar të ishte negativ, çka do të thotë se qeveria shleu më shumë borxh nga sa mori. Përmes huamarrjes së jashtme, qeveria ka çliruar likuiditete të shumta të lira në tregun e brendshëm financiar, çka shpjegon në një pjesë të madhe uljen drastike të interesave të bonove dhe obligacioneve gjatë muajve të fundit të vitit 2018. Kjo tendencë vazhdoi edhe gjatë muajit janar. Interesat për të gjithë instrumentet e borxhit qeveritar kanë zbritur pranë niveleve më të ulëta historike.
Likuiditeti i lartë dhe interesat e ulëta në tregun e bonove, në teori, është një shtysë që bankat të çlirojnë ofertën për kredi në lekë dhe të ulin më tej normat e interesit. Një tendencë pozitive vërehet prej vitesh në kreditimin e individëve, si për blerjen e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe për konsum. Sadoqë cikli i politikës monetare stimuluese është drejt mbylljes, lëvizja e qeverisë duket se do të ndikojë në ruajtjen e normave minimale të interesit në tregun financiar shqiptar. Përfituese, në radhë të parë, është vetë qeveria, që po siguron interesa më të ulëta për borxhin e vet, por gjasat janë që kjo konjukturë të favorizojë edhe individët dhe bizneset huamarrëse.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.