Ulja e ndotjes në Tiranë – Veliaj: Plan masash, autobusë elektrikë, zona pedonale e biçikleta

Bashkia e Tiranës po ndërmerr një sërë masash për reduktimin e ndotjes në kryeqytet. Në Ditën pa Makina, kryebashkiaku, Erion Veliaj njoftoi kthimin në pedonale të disa zonave në kryeqytet, ndërkohë që në sheshin ‘Nënë Tereza’ nuk do të lejohen më automjetet gjatë 24 orëve.
“Po të marrim vendime të drejta, të guximshme, pavarësisht histerisë që shpërthen ndonjëherë nga ca minoranca të zhurmshme, mund t’ia dalim që të kemi një qytet më të mirë, siç është rasti i hapësirave pedonale permanente sikurse është sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri edhe disa zona të tjera më të vogla. Arsyeja pse e fillojmë te sheshi “Nënë Tereza” është se brenda këtij mandati jo vetëm pasditeve gjatë verës, por në kohë të plotë, sheshi “Nënë Tereza” do të kthehet në një hapësirë tjetër pedonale për qytetin. Gjersa kemi pasur duk në ato hapësira që kemi kthyer dhe ajri është më i pastër në Tiranë, mesazhi që marrim është që të vazhdojmë në këtë mënyrë. Do të jetë pjesa pas Ministrisë së Arsimit ku është “Heminguej” me shtëpitë karakteristike aty. Ka potencial për hapësira të ngjashme si Pazari i Ri, por ndoshta me një karakter pak më artistik dhe më kulturor. Një hapësirë e tretë ka të bëjë me zonën e Bllokut, me damarët që ecin paralelisht me Lanën. Duam që në verën e ardhshme në fakt, në mënyrë permanente rrugicat e Bllokut të jenë hapësira pedonale, kurse rrugët që janë pingul me Lanën të jenë damarët ku do të vazhdojë të lëvizë trafiku”, tha Veliaj.
Gjithashtu, Veliaj u shpreh se nga tetori nis testimi i autobusëve elektrikë, ndërsa ju bëri thirrje operatorëve aktualë të transportit publik të zëvendësojnë mjetet e tyre, në mënyrë që të mos rrezikojnë licencat.
“Do të fillojmë nga muaji tjetër, fillimisht me një kompani europiane, e pastaj me një kompani kineze, testet për autobusët elektrikë. U kam thënë të 25 operatorëve në Tiranë, kërcënimin s’e keni nga njëri-tjetrin, konkurrencën e keni nga Bashkia e Tiranës, e cila po përgatitet të krijojë një kompani të vetën. Operatorët kanë nënshkruar një kontratë e cila ka një klauzolë, që në çdo moment kur bashkia ka alternativë transportin elektrik ose me hidrogjen, do t’i heqë licencën dikujt që e ka me naftë për ta zëvendësuar me dikë që e ka makinë elektrike. Ndaj mesazhi për operatorët, vraponi blini autobusë elektrikë”, tha ai.
Bashkia është duke investuar edhe në shtimin e korsive të biçikletave, si një prej mënyrave për reduktimin e përdorimit të makinës nga qytetarët. Sipas Veliaj, numri i përdoruesve të tyre është 3-fishuar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.