Ulja e tatimfitimit nga 15 në 5 %-Sa do të jetë ndikimi në arkën e shtetit dhe kush pritet të përfitojë më shumë (Relacioni)
Ndryshimet e fundit që Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë në paketën fiskale duke ulur tatimfitimin nga 15 në 5 % për fermerët që bashkohen në kooperativa, për bizneset e agroturizmit e ulja e tatimfitimit për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë pritet të ketë një efekt në zërin e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Ndikimin më të madh pritet ta ketë vendimi për tatimin e fitimit në 5 % (nga 15 që është aktualisht) edhe për bizneset me të ardhura nga 8 deri në 14 milionë lekë.
“Rritja e pragut nga 8 milionë në 14 milionë ka efekt -420 milionë lekë në grupin e tatimpaguesve që aktualisht tatohen me shkallë tatimi mbi fitimin 15 %. Ndërkohë, ky ndryshim do të ketë efekt pozitiv si rezultat i rritjes së vetëdeklarimit nga tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, të cilët do tatohen me shkallë tatimi 5% edhe për segmentin tatimpaguesve me një qarkullim vjetor prej 8-14 milionë lekësh. Efekti pozitiv i vlerësuar nga ky grup llogaritet në rreth +200 milionë lekë” shkruhet në relacion.
Reduktimi i normës së tatimit mbi fitimin për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor nga 15% në 5% nuk do të shoqërohet me reduktim të ardhurash në buxhet pasi aktualisht numri i SHBB-ve të regjistruara ka qenë minimal (30 të tilla), ndërkohë që kontributi fiskal në buxhet ka qenë i papërfillshëm. “Pritet që rritja e numrit të SHBB-ve dhe e volumit të punës së tyre do të çojë në rritjen e të ardhurave dhe rrjedhimisht edhe të kontributit fiskal” vijon relacioni
Po ashtu, reduktimi i normës së tatimit mbi fitimin për sektorin e agroturizmit nga 15% në 5% nuk do të shoqërohet me reduktim të ardhurash në buxhet pasi numri i njësive agroturistike është minimal dhe pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruara si biznes i vogël.
“Parashikohen efekte pozitive që nuk mund të maten nga zgjerimi ekstensiv i këtij biznesi si rezultat i incentivave të ndërmarra” vijon relacioni.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.