Ulja e TVSH-së për barnat – A do të ndikojë në uljen e çmimit të ilaçeve të prodhuara në Shqipëri?!
Çmimi i barnave të prodhuara në Shqipëri pritet që të ulet edhe më shumë si rezultat i masave që parashikon paketa fiskale 2019. Konkretisht kjo paketë parashikon që të përjashtohen nga TVSH-ja lëndët e para që përdoren për prodhimin e medikamenteve.
Shqipëria është një treg i vogël farmaceutik e akoma më e vogël është edhe hapësira që zënë prodhuesit e barnave, të cilët janë më pak se gishtat e një dore.
Ky hap i hedhur për përjashtimin nga TVSh-ja të lëndëve të para po diskutohet ende nga ekspertët për ndikim dhe efektin financiar që do të ketë tek pacientët dhe qytetarët.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganave, të vëna në dispozicion të televizionit SCAN, rezulton se për vitin 2017 vlera financiare e lëndëve të para të importuara me destinacion prodhimin e medikamenteve është mbi 7.5 milionë lekë.
Ndërsa të dhënat për vitin 2018, më konkretisht deri në 13 tetor flasin për një rritje të vlerës së importuar me këtë qëllim. Konkretisht vlera financiare e lëndëve të para të importuara është mbi 8 milionë lekë.
Kuptohet që përjashtimi nga TVSH-ja e lëndëve të para do të ndikojë pozitivisht në buxhetin e kompanive që merren me prodhimin e barnave në vendin tonë. Por mbetet ende për të parë nëse efekti pozitiv do të përcillet edhe në xhepat e pacientëve shqiptar.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.