Ulja e TVSH-së së akomodimit, Topuzi: Po aplikohet vetëm në disa qytete, duhet informim
Ulja e TVSH-së për akomodimin po aplikohet vetëm në hotelet e Tiranës apo zonave bregdetare, por pjesa tjetër e sipërmarrësve është e painformuar e për pasojë nuk po reflektohet ndryshimi nga 20% në 6%”.
Shqetësimi ngrihet nga kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi, i cili thotë për TV ‘SCAN’ se në këto kushte janë të nevojshme fushata informimi me bizneset, në mënyrë që më pas të reflektohet edhe në çmime.
“Duke qenë se u fillua vonë ky proces dhe për arsye të disa pengesave ligjore, pati vështirësi në aplikimin e saj. Kryesisht është aplikuar në zonat qendrore, pra Tirana, Durrësi, bregdeti. Pjesa tjetër e Shqipërisë është akoma e painformuar për zbatimin e kësaj politike. Drejtoria e Tatimeve duhet të bëjë disa emisione, ku të shpjegohet në mënyrë që bizneset që janë familjarë, nuk kanë manaxhim profesional ose ekonomist që ta kuptojnë si proces. Kjo do të bëjë që gjatë muajve në vazhdim, për t’u përgatitur për sezonin gjithë-vjetor të bëhen disa konsulta, qoftë edhe takime me zyrat e Tatimeve nëpër rrethe në mënyrë që bizneset të kuptojnë se ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe i ndihmon ata”.
Sipas Topuzit, ndikimi real i uljes së TVSH-së së akomodimit do të vijë gradualisht, duke qenë se për këtë vit, bizneset formale i kanë mbyllur pjesën më të madhe të kontratave.
“Duke qenë se biznesi formal pothuajse i ka mbyllur kontratat për këtë sezon, dhe janë mbyllur faturat tatimore me 20 për qind, ndikimi nuk do të jetë shumë i madh në këtë sezon”.
Ulja e TVSH-së së akomodimit nga 20% në 6% hyri në fuqi rreth një muaj më parë, ndërsa sipas ekspertëve tashmë vendi ynë do të hyjë në treg konkurrues në rajon si dhe do të jetë një vend tërheqës për investitorët e huaj.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.