Ulje rekord e humbjeve – 10-mujori: Humbjet e energjisë në rrjet 23.7%, bien ankesat e klientëve
Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike për 10-mujorin e vitit 2018 u regjistrua në nivelin 23.7 %, duke shënuar nivelin më të ulët historik. Sipas të dhënave zyrtare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ky tregues ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet në rrejt ishin në masën 26.5%. Ndërkaq, edhe në raport me 9-mujorin ky tregues u ul me 0.3%.
Nga ana tjetër, arkëtimet për periudhën janar-tetor përllogariten në 54.97 mld lekë, apo 1.64 mld lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkohë që, paralelisht, Operatori I Shpërndarjes së Energjisë Elektrike raporton një rënie të ndjeshme të numrit të ankesave, në raport me 10-mujorin e vitit të kaluar. Këtë vit, janë depozituar pranë këtij dikasteri 33 534 ankesa apo rreth 22 mijë ankesa më pak se në vitin 2017.
Ndërkohë që, edhe zgjidhmëria e tyre rezulton në masën 112%, duke qenë se përgjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar edhe 4122 ankesa të mbartuara nga viti I kaluar. Sipas OSHEE-së ky është një tregues I rritjes së performancës së shërbimit ndaj klientit,. Ndërkohë që së fundmi ky dikaster ka nisur të operojë përmes sistemit të ri të “menaxhimit të klientëve” , i cili do të kompletohet në të gjitha degët Brenda muajit nëntor. Ky sistem ka disa avantazhe sepse rrit kontrollin dhe standardin e procesit të leximit dhe përshpejton në kohë dhe cilësi zgjidhjen e kërkesave apo ankesave.
Niveli i humbjeve në rrjet
2018 23.7%
2017 26.5%
Niveli i arkëtimeve
2018 54.97 mld lekë
2017 53.33 mld lekë
Numri i ankesave
2018 33 534
2017 55 282
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.