Unaza e madhe e Tiranës, përfundon segmenti i radhës – Gjiknuri: Puna po ecën me intensitet të lartë

Një tjetër segment me gjatësi 4.14 kilometra nga Unaza e Jashtme e Tiranës ka përfunduar punimet. Bëhet fjalë për rrugën që lidh rrethrrotullimin pranë “TEG” me Repartin e Helikopterëve në Farkë.
Pjesa verilindore e Unazës së jashtme ka kushtuar rreth 2.3 miliardë lekë, ndërsa puna në lotin e dytë, nga Farka deri në Uzinën e Autotraktorëve, po vazhdon me intensitet të lartë, sipas Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.
Në njoftimin e ministrit, shoqëruar me një video të pamjeve ajrore, nuk njoftohet një datë për hapjen e rrugës për automjetet.
Ndërkohë, segmenti i unazës së madhe që nis nga pallati me shigjeta u inaugurua në fillim të muajit Shtator, duke lehtësuar trafikun dhe shmangur futjen në Tiranë për mjetet që vijnë nga autostrada e Durrësit, në drejtim të Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Korçës.
“Dihet se Tirana përmbledh trafikun kryesor në Shqipëri. Shumë shpejt, me projektin që po bën Drejtoria e Rrugëve edhe për një mbikalim siç duhet këtu tek kryqëzimi i TEG-ut, kjo do të lidhet edhe me rrugën e re të Elbasanit. Unaza do të vazhdojë edhe me procesin tjetër që fillon nga shkolla Industriale deri te sheshi “Shqiponja” ku edhe ai segment do të kthehet brenda parametrave të duhur në mënyrë që fluksi i trafikut të mos pengohet”, tha Gjiknuri.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm, për Unazën e Re të Tiranës janë alokuar 4.1 miliardë lekë, nga kostoja totale prej 12.3 miliardë lekësh për të gjithë projektin, por ende nuk ka një datë fikse për realizimin e plotë.
“Unaza do të vazhdojë, do disa vite punë pasi kini parasysh se janë edhe dy lote të tjera që do të përmirësohen e do të vazhdojë puna, sidomos pjesa e sheshit Shqiponja deri tek shkolla industriale. Këtu bëhet fjalë për të gjithë atë projekt që ka thënë qeveria shqiptare për rritjen e standardeve të rrugës, ku edhe unaza e Tiranës është pjesë shumë e rëndësishme e këtij projekti 4 vjeçar”, u shpreh ministri.
A.H./SCAN
Segmenti i përfunduar i Unazës së Tiranës nga "TEG" deri në Farkë
Puna për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës po ecën me intensitet të lartë. Sapo ka përfunduar ndërtimi i një tjetër segmenti me gjatësi 4.14 km, i cili fillon pranë rrethrrotullimit "TEG" dhe përfundon pranë Repartit të Helikopterëve në Farkë. Po vazhdon puna për Lot2 nga Farka deri në Uzinën e Autotraktorëve
Posted by Damian Gjiknuri – Faqja Zyrtare on Friday, December 15, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.