Unaza Lindore e Tiranës- Projekti 3.9 miliardë lekë, ARRSH: Gati lista me shpronësimet
Pas një procesi 3-mujor, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar listën e pronave që preken nga ndërtimi i Unazës Lindore të Tiranës. Ndërkohë që, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ky dikaster ka njoftuar se tashmë ka dërguar listën përfundimtare pranë Komisionit të Posaçëm për Shpronësim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për miratim të Vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimet. Problematika ma shpronësimet. bllokoi punimet në disa pika të veprës, ndërkohë që një ditë më parë drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato bëri me dije se në pjesën tjetër të projektit ka vazhduar puna.
Punimet për realizimin e kësaj vepre ndahen në 2 lote, ndërsa vlera totale e investimit arrin në 3.9 miliardë lekë pa TVSH. Vlera totale për lotin 2 dhe 3 të Unazës Lindore të Tiranë arrin në 3.9 miliardë lekë pa TVSH. Investimi në lotin 2, që kap vlerën e 1.58 miliardë lekë parashikon ndërtimin dhe përfundimin e plotë të këtij aksi rrugor, duke siguruar lidhjen me segmentet rrugore të përfunduara dhe me ato qe do të ndërtohen në vazhdim.
Në këtë pjesë, projekti kalon nëpër Fushën e Farkës, mbi pjesën e sipërme te përroit të Kabatit, duke dalë në zonën e Shkozës. Ndërkaq, sa i takon lotit 3, Zonat kryesore që kufizojnë këtë objekt jaë ato që njihen me emrin zona e Shkozës, Ali Demi dhe Kodra e Priftit. Objekti ka një gjatësi të përgjithshme rreth 3.3 km dhe do të kushtojë 2.33 miliardë lekë. Ndërtimi i kësaj vepre infrastrukturore, pritet të lehtësojë jo vetëm qarkullimin e automjeteve, por njëkohësisht bën të mundur edhe rikualifikimin e zonave përreth.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.