UNDP Albania, program mbështetës për 10 bashki në vend – Skemë financimi prej 100 mijë eurosh për 30 muajt e ardhshëm

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri shpall thirrjen për partneritet me bashkitë e interesuara në Shqipëri, në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore (ReLOaD). Kjo thirrje ka si synim krijimin e partneritetit me 10 bashki në Shqipëri, të cilat do të bëhen pjesë e skemës së grantit të Projektit me një vlerë prej rreth 100.000 Euro për secilën bashki për një periudhë rreth 30 mujore.
“Kjo skemë granti do të shërbejë direkt për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile, të cilat do të ofrojnë shërbime në përputhje me prioritetet e bashkisë përkatëse. Granti do të menaxhohet në bashkëpunim ndërmjet bashkisë së përzgjedhur dhe zyrës së UNDP në Tiranë. Thirrja është e hapur për të gjitha bashkitë dhe përzgjedhja do të kryhet në mënyrë transparente dhe objektive në përputhje me kriteret e përcaktuara, të cilat i gjeni në Udhëzuesin për aplikantët”, thuhet në njoftimin e UNDP Albania.
Po sipas këtij njoftimi, aplikantët duhet t’i përmbahen formatit të Formularit të Aplikimit dhe në përputhje me informacionin e kërkuar, të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm. Formati duhet plotësuar në gjuhën Shqipe. Bashkia duhet të dorëzojë: Formatin e Aplikimit dhe një Letër interesi. Të gjitha dokumentet duhet të plotësohen sipas kërkesave, të firmosen dhe certifikohen në përputhje me kërkesat e specifikuara në dy dokumentet e mësipërme.
Letra e interesit dhe dokumentacioni mbështetës duhet të dorëzohen në 2 (dy) sete origjinale (ose të certifikuara) në format të printuar dhe elektronik (CD ose USB). Dokumentacioni duhet të jetë në një zarf të mbyllur dhe të vulosur dhe të dorëzohen me postë ose personalisht në adresën:
-Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri – UNDP Albania
-Programin Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD)
-Rruga “Skënderbej”, Ndërtesa Gurten, Kati II, Tirana, Albania
-Afati final për dorëzimin e aplikimeve është data 4 Gusht 2017, ora 17:00
“Aplikimet e dorëzuara pas përfundimit të afatit, do të konsiderohen vetëm në rast se shënimi i postës është përpara përfundimit të afatit zyrtar. Aplikimet e dorëzuara në çdo formë tjetër (si fax ose email), ose të cilat do të dorëzohen në adresa të tjera, nuk do të merren parasysh. Për çdo informacion ose sqarime të mëtejshme, bashkitë mund te kontaktojnë UNDP në Shqipëri me email në adresën: [email protected] duke ju referuar në titullin e emailit Projekti ReLOaD. Pyetjet mund të dërgohen deri në 5 (pesë) ditë përpara përfundimit të afatit të dorëzimit të aplikimeve. Përgjigjet e pyetjeve do të dërgohen me shkrim jo më vonë se 3 (tre) ditë pune nga marrja e tyre”, thuhet në njoftimin e UNDP Albania .
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.