UNESCO zgjeron listën e trashëgimisë kulturore – Shtohen edhe pyjet e ahut në disa zona të Shqipërisë

Organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO ka shtuar një sërë pikash të tjera në lisën e Trashëgimisë Kulturore duke njohur vlerat e tyre të jashtëzakonshme për njerëzimin.
Gjatë takimit që po zhvillohet në qendrën historike të Krakovës, komiteti ndërkombëtar ka miratuar disa kandidatura që i shtohen kështu mrekullive të botës si Koloseu, Piramidat, apo qytetet e lashta të Beratit dhe Gjirokastrës.
Ndër zonat e reja që i shtohen listës janë edhe pyjet e lashta të ahut në Karpate dhe në rajonet e tjera të Europës, që shtrihen në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Itali, Poloni, Rumani, Slloveni, Spanjë dhe Ukrainë.
Në vendin tonë këto pyje shtrihen në zonën e Pukës, Rajcës dhe Mirditës.
Just inscribed as @UNESCO #WorldHeritage Site: Primeval Beech Forests of the Carpathians and Other Regions of Europe [Site extension] #41whc pic.twitter.com/xPf3SNvvEJ
— UNESCO (@UNESCO) July 7, 2017
Megjithatë, në propozimin drejtuar UNESCO-s nga Ukraina dhe Sllovakia, vihet në dukje se perspektiva e menaxhimit të këtyre pyjeve ofron shumë pasiguri. Duke cituar një raport të vitit 2004 të studiueses Clarissa de Waal për ndryshimet agrare në Shqipëri, në këto pyje gjendeshin rreth 60 kantiere ilegale që sharronin 100 mijë metra kub dru në vit.
Gjithsesi, komiteti vendosi për miratimin e këtij propozimi në tërësi dhe tashmë Shqipëria hyn në listën e UNESCO me një tjetër zonë trashëgimi botërore. Propozimi është dërguar për herë të parë pranë kësaj organizate në vitin 2007.
Pas epokës së fundit të akullnajave, ahu u shtri nga disa zona të izoluara në Alpe, Karpate, Mesdhe dhe Pirene në një periudhë të shkurtër prej disa mijëra vjetësh, një proces i cili është ende në vijim. Ky zgjerim ka të bëjë me fleksibilitetin dhe tolerancën e pemës ndaj ndryshimeve klimatike dhe kushteve gjeografike e fizike.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.