Unifikimi i institucioneve të pronave – Versioni i ri: Hipotekat e ALUIZNI bashkë, ATP më vete

Bashkimi i paralajmëruar i institucioneve që trajtojnë çështjen e pronës është ndër prioritetet e ristrukturimeve masive që po ndërmerr Qeveria “Rama 2”. TV SCAN ka zbardhur një prej versioneve më të mundshme të këtij ristrukturimi, i cili përfshin ALUIZNI-n, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave.
Sipas burimeve brenda qeverisë, ky version parashikon bashkimin e ALUIZNI-t dhe zyrës së hipotekave në një drejtori të vetme. Bashkë me adresarin e ri, kjo zyrë do parashikohet të vendoset nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Përmes kësaj shkrirjeje synohet unifikimi i të dhënave të pronave në një organ të vetëm, duke shmangur burokracitë, përplasjet dhe procedurat e stërgjatura të rakordimit të informacionit. Njëherësh Qeveria shpreson se në këtë mënyrë thjeshtëzohen procedurat dhe minimizohen hapësirat për korrupsion.
Mësohet gjithashtu se Agjencia e Trajtimit të Pronës mendohet të lihet jashtë kësaj strukture, për shkak të faturave të larta të kompensimeve ndaj pronarëve.
Unifikimi i institucioneve që trajtojnë çështjet e pronave u paralajmërua këtë verë nga Kryeministri Edi Rama. Sipas tij, është e papranueshme që qytetarët duhet të përplasen në tre zyra të ndryshme për të zgjidhur çështjet e pronësisë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.